Lajme

“Ma mbylli derën e klasës dhe mu afrua…”/ Dëshmia e 13-vjeçares që po dyshohet se u sulmua nga arsimtari 64-vjeçar

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
7:30 / 24 Qershor 2022

Abuzimet dhe sulmet seksuale ndaj nxënëseve në shkolla, janë fenomene mjaft të pranishme dhe shumë shqetësuese në Kosovë. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet pas denoncimit të prindërve të një 13-vjeçareje, nxënëse në shkollën fillore “Lidhja e Pejës” në fshatin Novosellë të Pejë, të cilët po pretendojnë se mësimdhënësi i saj, Adem Mustafaj, 64-vjeçar ua ka sulmuar seksualisht vajzën. Arsimtari është arrestuar dhe ndodhet nën masën e ndalimit, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit tashmë kanë nisur.

Sinjali mëson se deri më tani përveç viktimës dhe prindërve të saj, janë intervistuar edhe disa dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklarata se çfarë dihet për ngjarjen që po dyshohet se ndodhi brenda hapësirave të shkollës.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga dëshmia e nxënëses, që e dha para hetuesve policorë, ku e ka përshkruar se si sipas saj arsimtari e sulmoi seksualisht në në klasë.

E mitura, e cila është intervistuar në prani të prindërve, ka rrëfyer në Polici se gjithçka nisi kur arsimtari Mustafaj nuk e lejoi të dilte nga klasa, duke e kapur për dore, me ç’rast ia mbyll edhe derën e klasës. Në ato momente, arsimtari ia ka vendosur duart në fytyrë, duke iu afruar aq shumë, sa sipas saj ka pasur për qëllim që ta puth me zor.

Vajza ka dhënë edhe informacione të tjera para Prokurorit për të mitur, por derisa të merren veprimet e tjera hetimore edhe nga Prokuroria, Sinjali nuk do të publikojë më shumë detaje.

Ajo që dihet deri më tani është se arsimtari i Biologjisë, i cili është në prag të pensionit, është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ngarkohet me veprën penale “sulm seksual”.

Sinjali do të ju mbajë të informuar nëse Prokuroria Themelore në Pejë do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj arsimtarit të dyshuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.