SHIJA E REDAKTORIT

Kontrata e keqperdorimit me qindra mijëra euro nga Komuna e Skenderajt: Pishat e kontraktuara me 188 euro janë tharë vetëm pak javë pas mbjelljes

Portali Rajoni.org më 26 korrik raportoi ekskluzivisht për paramasën dhe parallogarinë financiare për dy projekte që janë duke u realizuar përmes një marrëveshjeje të kundërligjshmë të bonus-zonimit.

Artikulli i plotë i rajonit: Nga 12 në 188 euro për një fidan – dokumentet e bonus-zonimit në Skenderaj zbulojnë kontratën “kriminale” të keqperdorimit me qindra mijëra euro

Rajoni.org ka raportuar së në të njëjtën marrëveshje janë disa pozicione ku çmimet e përcaktuara në kontratë ishin nga 5 deri në 15 herë më të larta se çmimet reale të tregut.

Për shembull, në projektimin e furnizimit dhe mbjelljës së drunjëve dekoruese në qytetin e Skenderajt me vlerë 100,025€, një fidan i pishës Leyland është paraparë të kushtojë 188 euro, ndërsa në treg mund të blihet për rreth 12 euro. Një fidan Photinia është kontraktuar me çmim 186 euro, ndërkohë që në treg kushton rreth 22 euro. Ndërsa për Prunus, çmimi në kontratë është 180 euro për copë, ndërsa në treg kushton rreth 140 euro.

Pas publikimit të këtij hulumtimi, Komuna e Skenderajt ka kthyer përgjigjje në pyetjet e rajonit.

Në përgjigjen e saj, komuna thotë se çmimi i pishës Leyland ndryshon në varësi të karakteristikave të saj dhe se bimët e parashikuara në projekt janë 8–10 vjeçare, me diametër të trungut 14–18 mm, sipas specifikimeve teknike. Sipas komunës, krahasimi me fidanë të zakonshëm që shiten në treg nuk është profesional, pasi nuk bëhet fjalë për të njëjtat karakteristika.

Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Rajoni.org tregojnë diçka tjetër.

Në paramasën e projektit, për pishën Leyland kërkohet që ajo të ketë lartësi 3 deri në 4 metra dhe të jetë e pajisur me certifikatë konform standardeve të Bashkimit Evropian. Në asnjë pjesë të dokumentit nuk kërkohet që pishat të jenë 8–10 vjeçare apo të kenë diametër të trungut 14–18 mm, siç është pretenduar në reagimin e komunës.

Dokumenti dhe kriteret e pishës të vendosura nga Komuna e Skenderajt

Realiteti është edhe me i zi?

Rajoni.org ka mësuar se një pjesë e pishave të mbjella tani janë tharë; pra vetëm pak ditë pas mbjelljes.

Po ashtu, sipas inspektimeve në terren, shumica e tyre janë lënë edhe pa mirëmbajtje.

Pishat që i kushtuan Skenderaj 188€

Pse kjo marrëveshje ështe e kundërligjshmë?

Harta Zonale e Komunës së Skenderajt përcakton së bonus-zonimet aplikohen bazuar në rregullore komunale, gjë të cilën kjo komuna nuk e ka.

Përveç aplikimit të bonus-zonimit pa marrëveshje komunale, marrëveshje si e tillë e nënshkruar në Skenderaj, mund të ngre edhe pikëpyetje, për dyshime për favorizim të operatorit ekonomik, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, cenim të barazisë në procedurat publike.

Çka thonë Komunat tjera?

Portali rajoni.org u ka dërguar pyetje tri komunave lidhur me marrëveshje të tilla, duke kërkuar të dijë nëse i kanë realizuar ato dhe, nëse jo, cilat janë arsyet pse nuk janë zbatuar.

Të tri këto komuna, dy prej të cilave kanë hartë zonale, ndërsa një tjetër me plan rregullues, në përgjigjet e dhëna për rajoni.org kanë deklaruar se nuk kanë dhënë bonus zonimi, pasi nuk kanë miratuar ende rregullore për bonus zonimin dhe së një gje e tillë është e pa ligjshmë.

//BODY PART STICKY - Implement into the footer