Saturday, July 24, 2021

Masakër e tmerrshme etnike në Etiopi, mbi 100 të vrarë

Së paku 102 persona janë vrarë në rajonin perëndimor të Etiopisë, Benishangul-Gunmuz, në masakrën e fundit etnike në shtetin e Afrikës Lindore.

Dëshmitarët dhe zyrtarët thanë se së paku 102 persona u vranë gjatë një sulmi që ndodhi të mërkurën në mëngjes në zonën e quajtur Metekel, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pasi kryeministri i vendit, Abiy Ahmed, e vizitoi rajonin dhe foli për nevojën që të vendoset drejtësi për ata që janë përgjegjës për sulmet e fundit.

Tensionet ndëretnike paraqesin sfidë të madhe për qeverinë, ndonëse kryeministri po mundohet që ta promovojë unitetin kombëtar në një shtet me mbi 80 grupe të ndryshme etnike.

Belay Wajera, fermer në qytezën Bulen, i tha agjencisë Reuters se i ka numëruar 82 trupa të pajetë në një fushë afër shtëpisë së tij pas sulmit të mëngjesit të së mërkurës. Ai dhe familja e tij u zgjuan nga krismat e armëve. Bashkëshortja dhe pesë fëmijët e tij u vranë, ndërsa ai ka mbetur i plagosur. Katër fëmijë të tjerë kanë arritur të ikin, por tash janë të zhdukur.

Një mjek lokal tha se ai dhe kolegët e tij kanë trajtuar 38 persona të lënduar, shumica të plagosur nga armët e zjarrit. Ai tha se pacientët i kanë treguar që sulmuesit ua kanë vrarë me thika të afërmit, ndërsa disa persona të armatosur ua kanë vënë flakën shtëpive dhe i kanë qëlluar me armë ata që janë përpjekur të ikin.

Etiopia së fundi është përballur me tensione dhe konflikt edhe në rajonin verior, Tigray, ku udhëheqësit rajonalë e sfiduan qeverinë qendrore me mbajtjen e zgjedhjeve.