Thursday, January 20, 2022

Mbledhja e kryesisë së PDK në Drenas: Sharje e fyerje, përmenden edhe gratë!

Mbledhja e kryesisë së degës së PDK në Drenas, që është mbajtur të hënën e parë të dhjetorit në restorant “Diamant”, e jo në zyrat e PDK-së, është karakterizuar me fjalë të ulëta e tepër banale, madje me tentim të sulmeve fizike ndaj njëri-tjetrit, që në momentin kur kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, u kishte thenë anëtarëve të kryesisë se përcjell amanetin e Kadri Veselit që ta përkrahin Ramiz Lladrovcin. Gazeta online Vision Mega, nga burime të sigurta përbrenda kryesisë së degës së PDK, ka mësuar se përplasja kishte nisur fillimisht me pyetjen se ‘për ç’arsye ishte marrë Burim Bujupi, i akuzuar për tërheqjen e 2 milionë euro nga Thesari’, e pastaj në fjalët e Enver Hoxhajt se “kam për obligim t’iu informoj dhe keni amanet nga Kadri Veseli që ta përkrahni Ramiz Lladrovcin”, kanë shpërthyer disa nga anëtarët e kryesisë, të cilët kanë kundërshtuar fuqishëm me fjalët “nuk e duam atë”. Pas këtij kundërshtimi, ka shpërthyer edhe Ramiz Lladrovci, gjë që ka bërë që debati të eskalojë dhe gjithçka të del jashtë kontrolli. Janë përdorur fjalët më të ulët të mundshme, fjalë banale, ofenduese e kërcënuese, shkruan vision mega.

Burimet e gazetës thonë se ata u shanë edhe me gra. Sipas burimit, Ramiz Lladrovci i ka thenë njërit prej anëtarëve të kryesisë (emri i njohur për gazetën) se gruaja e tij është drejtoreshë në një komunë tjetër, ndërkaq ky ia kishte kthyer atij gjithashtu me fjalë të rënda: “mos e merr për goje gruan time, ti e din që gruaja jote t’u ka……..”. gjë që kishte sjellë situatën në atë nivel që të ngritën në këmbë dhe të përpiqen t’i çerojnë hesapet fizikisht mes vete, por kishin ndërhyrë anëtarët e tjerë të kryesisë, e mbase edhe Enver Hoxhaj, për t’i ulur gjakrat dhe për t’i ndarë. Njëri prej anëtarëve të kryesisë (emer gjithashtu i njohur për gazeten), gjithnjë sipas burimeve të gazetës, ia përmend babain Ramiz Lladrovcit, duke e cilësuar atë si ‘bashkëpunëtor të Rrahman Morinës dhe të regjimit të kaluar’. Ndërkaq, një tjetër anëtar (gjithashtu emer i njohur për redaksinë) i thotë Lladrovcit në sy: ‘ti je shantazhues o Lladrovc, me këtë kryesi nuk je më, e kërkojmë një njeri tjetër për kryetar të komunës, e jot y”. Ndërsa një tjetër anëtar i kryesisë i gjuhet edhe kryetarit të degës, Sejdi Hoxha: ‘as nuk të kam votu ty, as nuk e votoj nesër Ramizin, as PDK-në më nuk e votoj nëse jeni ti Sejdi Hoxha dhe Ramiz Lladrovci aty’.

Në një moment, dikush nga anëtarët e kryesisë ka kërkuar që të kthehet Naim Bazaj dhe të jetë kandidat për kryetar të komunës. Pas përfundimit të këtij debati të mundimshëm, që mbase nuk është parë ndonjëherë, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj  qenka shprehur: “Askund më keq se kam pa partinë tonë, se në Drenas”.

Në këtë mbledhje të tensionuar jashtë mase, është thenë gjithashtu se Ramizi ka kushtëzuar më Kadri Veselin që për me e votu Sejdi Hoxhen, sepse deri atëherë nuk mund të zgjedhej kryesia. Kryesia kishte mbajtur mbledhje nëpër kafen e jo në zyrat e saj dhe bëheshin përpjekje për ta shkarkuar Sejdi Hoxhen, ‘sepse ai i pyeste për gjithçka Azem Sylen, Kasdri Veselin e Ferat Shalen’.

“Por është e qartë se kryesia nuk po mund të menaxhohet as nga Ramizi as nga Sejdia.

Kanë filluar peticionet e kryetarëve të nëndegëve  për shkarkimin e Sejdi Hoxhes, duke kërkuar një person tjetër që t’i sfidojë këta në pushtet.  Edhe më herët, kur ishte ftuar mbledhja nga koordinatori Adem Grabovci, e kanë lëshu mbledhjen të gjithë, vetëm Ramizi, Grabovci dhe Sejdi Hoxha me 3 të tjerë në krysi kanë mbetur. I gjithë Drenasi me këmbëngulje po kërkon ndryshime rrënjësore në këtë komunë. Sejdi Hoxha nuk guxon të kandidojë, sepse Ramizi ia din punët dhe të metat Sejdes dhe babait të tij. Edhe Sejdi Hoxha, në konakun e tij i ka thenë Ramizit, se unë jam për ty, ndërsa në anën tjetër thotë se unë jam duke organizuar për rrëzimin e Ramizit”, thonë burimet përbrenda PDK.

Ndryshe, sipas një njoftimi të degës së PDK në Drenas për mbledhjen e një jave më parë, asnjë nga këto që kanë ndodhur në mbledhje tejet tensionuese nuk janë përmendur. Sipas njoftimit, “gjithçka ka shkuar mirë dhe se të gjithë janë unikë”.

“Kryetari në Detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka takuar mbrëmë Kryesinë e Degës në Drenas. Në këtë takim, kryetari Hoxhaj përsëriti qëndrimin se PDK do të jetë opozitë e pushtetit, por asnjëherë e shtetit dhe qytetarëve. Për këtë arsye, kryetari Hoxhaj tha se votuan edhe Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, ku propozimet e PDK-së e pasuruan pakon duke shtuar përfitimet për qytetarët dhe bizneset.  Duke folur për liderët e shtetit, themeluesit e UÇK-së, të cilët sot padrejtësisht po mbahen në Hagë, Hoxhaj tha se ata do ta dëshmojnë edhe njëherë pastërtinë e luftës së drejtë dhe çlirimtare të Kosovës. Kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha dhe kryesia e kësaj dege, kanë përshëndetur miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike i cili u votua me masat e propozuara nga PDK. Po ashtu, ata i kanë dhënë mbështetjen e tyre kryesisë së partisë për zhvillimet aktuale politike në vend”, thuhej në njoftimin e degës së PDK në Drenas.

E ndërkaq, kryetari i degës së PDK, Sejdi Hoxha, ka falënderuar strukturat e degës së PDK në Drenas, të cilat sipas tij “në vazhdimësi po bëpjnë punë të shkëlqyer në rritejn dhe fuqizimin e partisë”.