Monday, January 17, 2022

Me vetura të shtetit e plot roje, Albin Kurti harxhon para të shtetit për të votuar në Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, nën përcjelljen e truprojeve të tij dhe me veturë zyrtare të Kosovës ka shkuar në Shqipëri që të votojë për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot atje.

Kurti është pritur në Shqipëri nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Boiken Abazi.

Kryeministri Kurti ka pasaportë shqiptare dhe kështu ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet në Shqipëri.

Para mediave, Kurti ka bërë thirrje që të shfrytëzohet e drejta e votës.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun, duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave që secili ka. Dita është e bukur, me diell, moti është i mirë, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura e mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë.”, tha Kurti.

Përveç Kurtit, nga Lëvizja Vetëvendosje për të votuar në Shqipëri ka shkuar edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.