Friday, July 30, 2021

Milani planifikon tre blerje për të synuar titullin

Mbyllja e vitit në vendin e parë ka bërë që te Milani t’u hapet oreksi dhe të mendojnë jo vetëm për një vend në zonën Champions, por edhe për titullin kampion, duke qenë se skuadra prej thuajse një viti vijon të bindë me lojë.

Megjithatë drejtuesit e klubit kuqezi e kanë të qartë që për të synuar objektivin madhor, skuadra ka nevojë edhe për afrimin e 2-3 futbollistëve të tjerë cilësorë, pasi sezoni është ende i gjatë dhe me një numër të madh ndeshjesh për t’u luajtur.

Kështu në sulm ka nevojë urgjente për një alternativë për Zlatan Ibrahimovic, pasi 39 vitet mbi shpinë kanë filluar t’i peshojnë suedezit dhe gjendja fizike nuk premton shumë, ndaj Maldini e Massara po marrin në konsideratë dy alternativa.

I pari është sulmuesi serb Luka Joviç, i cili nuk po gjen hapësira në formacionin e Realit dhe madrilenët janë gati ta japin në huazim për disa muaj, me qëllim që të luajë dhe marrë sa më shumë minuta në këmbë.

Alternativa e Jovic është italiani 21-vjeçar Gianluca Scamacca, i cili luan me Genoan, ndonëse është në pronësi të Sassuolos. Këta të fundit kërkojnë 20 milionë euro për kartonin e Scamaccës dhe Milani nuk është gati të paguajë këtë shifër aktualisht.

Maldini mbetet mjaft i vëmendshëm ndaj tregut francez, pasi po ndjek edhe mesfushorin e Lille, Boubakary Soumare dhe mbrojtësin e Strasburgut Simakan. I pari është një futbollist i ngjashëm me Franck Kessie, ndaj shihet si një alternativë mjaft e vlefshme për mesfushorin nga Bregu i Fildishtë, që ka luajtur thuajse të gjitha ndeshjet deri tani.

Për mbrojtësin Simakan Milani u interesua edhe në verë, por nuk ia doli ta sjellë në Itali. Aktualisht Strasburgu kërkon 20 milionë euro, por shpresa e Maldinit është të mund ta sjellë në Milano për rreth 15 milionë euro.

Kështu me nga një afrim për çdo repart, klubi do të shtonte ndjeshëm alternativat në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli, me qëllim që ky i fundit të provojë ta motivojë skuadrën për të arritur te titulli kampion, që mungon prej 10 vitesh në Milano.