Tuesday, August 3, 2021

Mustafa: Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale…

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kosova ka nevojë për zgjedhje demokratike.

Mustafa në një status në Facebook ka thënë se zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje, ato janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre, transmeton Gazeta Blic

“Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje”, tha Mustafa ndër tjera.

Postimi i tij i plotë:

Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale… zgjedhe nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!?

Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dal i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.

Dhuna prodhon dhunë. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje.

Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo popullizëm i shfrenuar!