Ndriçimi publik rrezikon të ndalet në Skenderaj, asamblistja Halili: Hani më pak, paguani faturat
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Floriana Halili, ka reaguar pas njoftimit të drejtorit të Shërbimeve Publike në këtë komunë, se ndriçimi publik mund të ndërpritet për shkak të mungesës së mjeteve për pagesën e rrymës, shkruan rajoni.org.
Halili në reagimin e saj në facebook, ka kritikuar komunën e Skenderajt, duke thënë se drejtori po ia lë fajin nivelit qendror, ndërsa sipas saj problemi qëndron te mënyra se si po shpenzohen paratë e komunës.
Ajo ka përmendur shpenzimet e Komunës së Skenderajt për gjashtë muajt e parë të vitit 2026:
* 27 mijë euro për dreka dhe darka;
* 8 mijë euro për udhëtime dhe akomodime zyrtare jashtë vendit;
* 57 mijë euro për ushqim dhe pije.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, i sugjerojmë drejtorit në fjalë t’i kërkojë kryetarit të tij të shpenzojë më pak në dreka e darka dhe udhëtime jashtë vendit”, ka shkruar Halili.
Sipas saj, pretendimi për mungesë të mjeteve për pagesën e rrymës është i pasaktë, pasi pagesat për vendimet përmbarimore, sipas raportit buxhetor, janë bërë nga investimet kapitale dhe jo nga shpenzimet komunale që ndikojnë në pagesën e energjisë elektrike.





