Featured

Nëse jo Nazim Bllaca, cili dëshmitar i Speciales ka vdekur?

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:17 / 29 Maj 2022

Janë bërë saktësisht një javë nga një lapsus i avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson. Në seancën e së premtes së kaluar, Emmerson bëri një deklaratë me të cilën riktheu në vëmendje sërish Nazim Bllacën. Avokati britanik, tha se dëshmitari i Prokurorisë, Nazim Bllaca kishte vdekur.

“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, deklaroi Ben Emmerson, avokat i Veselit.

Nuk kaluan shumë minuta, e kjo deklaratë e avokatit të Veselit u demantua. Fillimisht nga familja e Nazim Bllacës, e më pas edhe vetë avokati Emmerson, doli me një sqarim.

“Bëra një gabim, thashë Nazim Bllaca ka vdekur. Nuk është e vërtetë. E kisha fjalën për një tjetër dëshmitar”, tha Emmerson në fund të seancës.

Një javë nga seanca në Hagë dhe nga kjo deklaratë, një fakt dihet: një dëshmitar i Prokurorisë së Speciales, potencialisht ka vdekur. Kështu ka lënë të nënkuptohet vetë avokati Emmerson, por duke ia gabuar emrin. Të paktën, siç tha vetë avokati britanik.

Nëse krahasohen deklaratat e Emmerson, atëherë edhe dëshmitari i Prokurorisë që mund të ketë vdekur, në këndvështrimin e mbrojtjes, kishte bashkëpunim me Serbinë. Këtë, avokati i Veselit e ka thënë disa herë gjatë seancës së fundit.

“Serbia është problem në vetvete në lidhje me rregullën 103. Mendoj që ka jurisprudencë të bollshme në lidhje me atë sa i takon kur bëhet vlerësimi i besueshmërisë së provave nga Serbia. Bashkëpunimi i ZPS-së me një kriminel lufte serb është shqetësues dhe të çon në përfundimin se është një problem themelor që duhet zgjidhur, dhe duhet zgjidhur tani”, kishte thënë Ben Emmerson në seancë.

Megjithatë, cilido dëshmitar i Prokurorisë së Hagës që ka vdekur, dëshmia e tij do të merret parasysh në formën e shkruar. Sipas avokatit të Hashim Thaçit, janë 65 dëshmitarë rrëfimet e të cilëve do të merren në formën e shkruar. Prej këtyre dëshmitarëve, 24 kanë vdekur.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar synon të mbështetet në 326 dëshmitarë në përputhje me listën e saj të dëshmitarëve, duke përfshirë: 261 dëshmitarë me dëshmi të drejtpërdrejta me rreth 1 mijë e 863 orë të dëgjimit, dhe 65 dëshmitarë përmes dëshmive me shkrim, nga të cilët 26 janë të vdekur. Gjatë konferencës së fundit, Prokuroria tregoi se po planifikon ta zvogëlojë kohën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të shpaloste më shumë prova”, thuhej në parashtrimin e avokatit të Thaçit, të cilin e kishte parë gazeta Nacionale.

“Hetimet tona mbeten të penguara nga një sërë faktorësh, përfshirë: redaktimet e gjera nga Prokuroria e Specializuar, zbulimi i vonuar ose i pjesshëm pasi rreth 100 dëshmitarë mbeten anonimë për mbrojtjen. Këtu përfshihen 69 dëshmitarë të cilët mbeten anonimë deri në 30 ditë para gjykimit, dhe 24 dëshmitarë të tjerë që do të mbeten anonimë deri në 30 ditë përpara nisjes së gjykimit”, thuhet në parashtresë.

Shumë detaje në lidhje me dëshmitarët nuk dihen deri më tani. Ajo që dihet është se numri i tyre shkon në mbi 300, përderisa mbrojtja ka pasur ankesa se për një pjesë të madhe, ata nuk kanë njohuri për identitetin.

Kush ishte Nazim Bllaca?

Një tjetër fakt që u konfirmua me deklaratën e Emmerson e cila nxiti shumë reagime, ishte se Nazim Bllaca edhe në këtë proces do të jetë dëshmitar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Nazim Bllaca, në vitin 2009, ishte bërë personi më i përfolur në Kosovë, pasi që publikisht kishte pranuar se kishte marrë pjesë në vrasje, plagosje, vrasje e rrëmbime. Të gjitha këto, ai thoshte t’i kishte bërë në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilin prej themelimit e deri në shuarjen e tij e udhëhoqi Kadri Veseli, që tash është i paraburgosur nga Gjykata Speciale në Hagë.

Bllaca më 2009 kishte deklaruar publikisht se ka kryer krime nën urdhrat e Azem Sylës që ishte pjesë e SHIK-ut.

“Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë me ardhë këtu para parlamentit edhe me thënë si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, pati thënë Bllaca, duke mos përmendur emrin e personit që thotë ta ketë vrarë, siç raportonte REL.

Deklarimi i tij, që tronditi Kosovën, e bëri atë të njohur. Në paraqitjen e tij të parë publike, ai kishte hedhur akuza të rënda se si SHIK-u kishte kryer vrasje politike, duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj organizate.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq: I një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla.

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa procesve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

I lindur në Prill të vitit 1972, në Ribar të Madh të komunës së Lipjanit, Bllaca kishte ushtruar profesionin e mësimdhënësit në fshatin e tij, gjersa gjatë luftës ishte uniformuar në radhët e UÇK-së.

I vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq, i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Nacionale

Të tjera