SHIJA E REDAKTORIT

Nga 12 në 188 euro për një fidan – dokumentet e bonus-zonimit në Skenderaj zbulojnë kontratën “kriminale” të keqperdorimit me qindra mijëra euro

Komuna e Skenderajt me 10 prill 2026 ka lidhur marrëveshje të bonus zonimit me operatorin ekonomik “A.N.B & KS shpk”. Marrëveshja titullohet si marrëveshje zhvillimi, shkruan rajoni.org.

Në marrëveshjen të cilen ekskluzivisht e ka siguruar rajoni.org del së kompanisë “A.N.B & KS shpk” i është rritur koficienti nga 3 në 4,019 apo të drejtë për mbindertim edhe 6,998.4m2; përkthyer në vlerë monetare i bie përfitim 5,248,800€.

Kundrejt kësaj, “A.N.B & KS shpk”, sipas marrëveshjes është obliguar të financoj projektin e furnizimit dhe mbjelljës së drunjëve dekoruese në qytetin e Skenderajt me vlerë 100,025€ dhe riparimin e rreguillimit të Këndëve Gjelbëruese në Qytet të Skenderajt, i projektuar nga DUMA, me vlerë 199,400€.

Thjështuar me shumë, Komuna e Skendërajt i ka dhënë bonusin: 42 euro në metër katror, ndërsa operatori e shet të njëjtin nga 700 deri 800 euro. Pra, Komuna e Skenderajt nga kjo lëvizje i ka mundësuar operatorit “A.N.B & KS shpk”, që të fitoj bruto nga kjo marrëveshje 4,949,375€.

Pas marrjes së bonus-zonimit. Çfarë përfshin paramasa që Komuna e Skenderajt e ka detyruar operatorin ta financojë?

Portali Rajoni.org ka siguruar ekskluzivisht paramasën dhe parallogarinë financiare të dy projekteve që parashihen të realizohen përmes kësaj marrëveshjeje.

Sipas paramasës së siguruar, në disa pozicione çmimet e përcaktuara në kontratë janë nga 5 deri në 15 herë më të larta se çmimet reale të tregut.

Për shembull, Komuna e Skenderajt ka paraparë në kontratë që një fidan i pishës Leyland të kushtojë 188 euro, ndërsa i njëjti në treg mund të blihet për rreth 12 euro. Po ashtu, një fidan Photinia është kontraktuar me çmim 186 euro, ndërkohë që në treg kushton rreth 22 euro. Ndërsa për Prunus, çmimi në kontratë është 180 euro për copë, kurse në treg vlera e tij është rreth 140 euro.

Edhe kostoja e mbjelljes rezulton dukshëm më e lartë. Sipas kontratës, vetëm mbjellja e një fidani i kushton Komunës së Skenderajt 13 euro për copë, ndërsa në treg kjo punë kryhet mesatarisht për rreth 2 euro për fidan.

Po ashtu, edhe në paramasë dhe parallogari të këndeve, Komuna e Skenderajt i ka shumëfishuar çmimet.

Bëhet fjalë për pozicionet 6.1, 6.2 dhe 6.3. Kombinimi i një pishe të vogël, fidanit Buxus, Juniperus dhe Euonymus i kushton Komunës 410 euro, ndërsa i njëjti kombinim në treg kushton rreth 120 euro.

E njëjta situatë paraqitet edhe te pozicioni 6.1, që ka të bëjë me tabelat informuese. Sipas kontratës, një tabelë i kushton Komunës 55 euro, ndërsa një produkt i ngjashëm në treg kushton rreth 10 euro.

Pozicioni 6.2 ka të bëjë me rrënimin e ish-Tregut të Gjelbër, ku për çdo metër katror është kontraktuar çmimi prej 55 euro. Ndërkohë, sipas dy kompanive të kontaktuara nga Rajoni.org, çmimi në treg për të njëjtën punë varion nga 10 deri në 20 euro për metër katror.

Screenshot

 

Pse kjo marrëveshje ështe e kundërligjshmë?

Harta Zonale e Komunës së Skenderajt përcakton së bonus-zonimet aplikohen bazuar në rregullore komunale, gjë të cilën kjo komuna nuk e ka.

Përveç aplikimit të bonus-zonimit pa marrëveshje komunale, marrëveshje si e tillë e nënshkruar në Skenderaj, mund të ngre edhe pikëpyetje, për dyshime për favorizim të operatorit ekonomik, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, cenim të barazisë në procedurat publike.

Çka thonë Komunat tjera?

Portali rajoni.org u ka dërguar pyetje tri komunave lidhur me marrëveshje të tilla, duke kërkuar të dijë nëse i kanë realizuar ato dhe, nëse jo, cilat janë arsyet pse nuk janë zbatuar.

Të tri këto komuna, dy prej të cilave kanë hartë zonale, ndërsa një tjetër me plan rregullues, në përgjigjet e dhëna për rajoni.org kanë deklaruar se nuk kanë dhënë bonus zonimi, pasi nuk kanë miratuar ende rregullore për bonus zonimin dhe së një gje e tillë është e pa ligjshmë.

Komuna e Skenderajt i përgjigjjet rajonit:

Para publikimit të hulumtimit, Rajoni.org i ka dërguar Komunës së Skenderajt disa pyetje, duke kërkuar sqarime se pse janë kontraktuar çmime kaq të larta, kush e ka hartuar paramasën, kush është menaxheri i kontratës, nëse ka pasur keqpërdorim të parasë publike dhe mbi cilën bazë ligjore është lidhur marrëveshja. Në përgjigjen e saj, komuna ka dhënë sqarimet e mëposhtme:

“Ju falënderojmë për interesimin dhe pyetjet e adresuara lidhur me marrëveshjen e lidhur ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe operatorit ekonomik “A.N.B & KS” SH.P.K.

  • Paramasa dhe parallogaria për projektin e furnizimit dhe mbjelljes së drunjëve dekorues në qytetin e Skenderajt, si dhe për projektin e riparimit dhe rregullimit të këndeve të gjelbëruara, janë hartuar nga stafi profesional i inxhinierëve të DUMA, të angazhuar për përgatitjen e dokumentacionit teknik.
  • Vlerat e paraqitura në paramasë janë përcaktuar mbi bazën e çmimeve reale të tregut, të hulumtuara gjatë hartimit të projektit. Çmimet e materialit hortikulturor varen nga karakteristikat teknike të bimëve, si mosha, dimensionet, cilësia, origjina, mënyra e kultivimit dhe standardet e kërkuara me projekt.
  • Sa i përket pishës Leyland, çmimi ndryshon në varësi të karakteristikave të saj. Bimët e parashikuara në këtë projekt janë të moshës 8–10 vjeçare, me diametër të trungut 14–18 mm, sipas specifikimeve teknike të projektit. Për këtë arsye, krahasimi i çmimit të një bime të ofruar në treg me një pozicion të projektuar, pa u bazuar në të njëjtat specifikime teknike, nuk paraqet bazë profesionale për nxjerrjen e përfundimeve mbi vlerën e projektit.
  • Vlera e secilit pozicion në paramasë nuk përfaqëson vetëm çmimin e bimës, por përfshin edhe furnizimin, transportin, shkarkimin, përgatitjen e terrenit, mbjelljen, materialet ndihmëse, mekanizmin, fuqinë punëtore dhe të gjitha punimet e tjera të nevojshme për realizimin e plotë të pozicionit sipas projektit dhe specifikimeve teknike.
  • Komuna e Skenderajt ka vepruar në përputhje me kompetencat dhe procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi. Dokumentacioni teknik është përgatitur nga projektues profesionistë, ndërsa marrëveshja është realizuar sipas procedurave ligjore dhe dokumenteve planifikuese në fuqi.
  • Nuk ekziston asnjë konstatim apo vendim i ndonjë institucioni kompetent që dëshmon keqpërdorim të parasë publike në këtë rast. Çdo pretendim i tillë mund të vlerësohet vetëm nga organet kompetente në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.
  • Menaxheri/mbikëqyrësi i kontratës është caktuar nga autoriteti kontraktues në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ushtron detyrat sipas përgjegjësive të përcaktuara.
  • Baza ligjore e marrëveshjes është Harta Zonale e Komunës së Skenderajt, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Skenderajt dhe e aprovuar nga ministria përgjegjëse për planifikimin hapësinor në vitin 2020, Udhëzimi Administrativ MMPH – Nr.24/2015 Mbi Elementet dhe Kërkesat Themelore për Hartimin, Zbatimin dhe Monitorimin e Hartës Zonale të Komunës, Ligji Nr.04/L-174 për Planifikim Hapësinor, Ligji Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. Këto dispozita  parashohin mundësinë e zbatimit të bonus-zonimit dhe mbi këtë bazë të gjitha marrëveshjet e bonus-zonimit të lidhura nga Komuna e Skenderajt deri me tani janë realizuar mbi të njëjtën bazë ligjore. Deri më sot, asnjë nga këto marrëveshje nuk është kontestuar apo shpallur në kundërshtim me ligjin nga asnjë organ kompetent.

Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies dhe është e gatshme të bashkëpunojë me mediat dhe institucionet kompetente në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në emailin e tyre./Rajoni.org/

//BODY PART STICKY - Implement into the footer