Thursday, January 20, 2022

Përmbytet shtëpia e Ferdonije Qerkezit, uji ia dëmton kujtimet e djemve të zhdukur

Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut ditëve të fundit në Kosovë, gjatë natës së mbrëmbshme është përmbytur nga uji edhe ‘Shtëpia muze’ e Ferdonije Qerkezit në Gjakovë.

Shtëpia e Ferdonije Qerkezit, të cilës në luftën e fundit në Kosovë i janë vrarë bashkëshorti dhe tre djemtë, është shndërruar në muze përkujtimor, tash e sa kohë.Sipas pamjeve nga ‘Syri Vision’, uji ka përmbytur pjesën e poshtme të shtëpisë, ndërsa Qerkezi në një paraqitje në këtë televizion ka thënë se përmbytja ka filluar mbrëmë rreth orës 20:00.

“Prej orës 20:00 mbrëmë ka filluar kthimi i kanalizimit, deri sot në mëngjes. Sot këto orë ka fillu me u largu, por siç po e shihni ka shkaktu disa dëme”.Sipas saj, deri më tash nuk ka pranuar ndonjë ndihmë nga Komuna e Gjakovës, por që shpreson që pasi të largohet uji nga shtëpia, t’i dalë në ndihmë ndokush.

Ditëve të fundit Kosova është përballur me reshje të shumta të shiut dhe të borës, që ka sjellur vështirësi te disa rajone në vend, sidomos rajoni i Dukagjinit, ku është përballur edhe me përmbytje.