SHIJA E REDAKTORIT

Pezullohet tenderi 680 mijë euro i Komunës së Mitrovicës për ndërtimin e rrugëve në Kollovërt, dyshohet për kritere të kurdisura

Kompania “Haxha Kom” ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Komunës së Mitrovicës për tenderin me titull “Ndërtimi i rrugëve në fshatin Kollovërt”, me vlerë të parashikuar prej 679,777€, shkruan rajoni.org.

Në ankesë, kjo kompani pretendon se disa nga kriteret e vendosura në dosjen e tenderit janë diskriminuese dhe kufizojnë konkurrencën.

Sipas “Haxha Kom”, Komuna ka vendosur kufizime jo vetëm për peshën minimale, por edhe për peshën maksimale të disa makinerive që kërkohen për realizimin e projektit. Kompania vlerëson se një kufizim i tillë nuk ka arsye teknike, pasi rruga kalon në terren të hapur dhe makineritë më të rënda nuk do të shkaktonin dëme, shkruan rajoni.org. Përkundrazi, sipas saj, ato janë më të fuqishme dhe më të përshtatshme për këtë lloj pune.

Në një tjetër pretendim, kompania kundërshton kërkesën për një makinë speciale për hapjen e kanaleve. Ajo thotë se, sipas paramasës së punimeve, nuk parashihet hapje kanalesh, por vetëm gërmim për themelet e lëshesave gypore, punë që mund të kryhen edhe me eskavatorë të zakonshëm. Për këtë arsye kërkon që kjo pajisje të hiqet nga lista.

“Haxha Kom” po ashtu pretendon se në listën e pajisjeve janë kërkuar makineri për shtrimin dhe gërryerjen e asfaltit, ndonëse, sipas paramasës, në këtë fazë të projektit nuk janë paraparë punime me asfalt. Sipas kompanisë, këto kërkesa janë të panevojshme dhe nuk përputhen me punimet që do të kryhen.

Ankesa përfshin edhe kundërshtimin e kërkesës për një grejder me karakteristika të caktuara teknike, si sistem kontrolli automatik, ripera dhe ndalesa zhavori. Kompania thotë se këto specifika favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë dhe kërkon që të mbetet vetëm kriteri për peshën minimale të makinerisë.

Po ashtu, kompania kundërshton edhe kërkesën për një eskavator me “grejther” dhe me peshë maksimale deri në 750 kilogramë. Sipas saj, edhe ky kriter është diskriminues, pasi në terrenin ku do të zhvillohen punimet mund të përdoren edhe makineri më të mëdha, ndërsa punimet e parapara nuk kërkojnë pajisje me karakteristika të veçanta./Rajoni.org/

Screenshot
Screenshot
//BODY PART STICKY - Implement into the footer