Sunday, August 1, 2021

Po vjen stuhia Filomena: Evropa përgatitet, Madridi mbulohet nga dëbora, moti i keq do godasë edhe Ballkanin

Spanja po përgatitet për ardhjen e stuhisë Filomena, që duhet të sjellë atje erëra polare dhe reshje të mëdha bore. Por ndërkohë, bora e ka mbuluar tashmë Madridin, duke habitur banorët e tij.

Banorët e Madridit, thonë se në qytet nuk bie borë prej kohësh dhe kur bie, thjeshtë mbulon tokën për pak kohë. por këtë radhë, ajo po ofron spektakël.

Stuhia Filomena, sipas meteorologëve, do të bombardojë Evropën me 40 cm borë dhe erëra të forta. Efektet e para të saj kanë filluar të shihen por egërsia e plotë e saj, gjatë kalimit nëpër Evropë, do të shihet ditët e ardhshme. Përveç reshjeve të mëdha të borës, Filomena pritet të trazojë detet, të sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme që do të shkaktojnë probleme në shumë vende evropiane, veçanërisht në Spanjë dhe Portugali.

Dhe këtë nuk do ta bëjë për një ose dy ditë, por moti i keq, sipas ekspertëve, do të zgjasë për disa ditë. Evropa qëndrore ndërkohë ka përjetuar prej ditësh tashmë temperatura të ulëta dhe reshje shiu. Akoma më shumë shira sipas meteorologëve priten gjatë ditëve të ardhshme në Itali dhe Ballkan.

Vala e motit të keq madje po shtyhet më në lindje, drejt Greqisë dhe Shqipërisë. Sidoqoftë, zona lindore e Evropës, veçanërisht Greqia dhe Turqia nuk do të shohin temperatura të ulëta, por reshjet e shiut do të jenë të konsiderueshme