Tuesday, August 3, 2021

Policia sekuestron armë dhe municione në një fshat të Lipjanit

Policia e rajonit të Prishtinës me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe parandalimit të akteve kriminale, ka organizuar punën e saj në të gjitha nivelet e stacioneve dhe njësive për krijimin e rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.
Në kuadër të punës parandaluese janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative të cilat në veçanti kanë rezultuar me gjetjen e armëve dhe municioneve si dhe identifikimin e poseduesve të tyre.

Në këtë vazhdë, më datë 24.11.2020 rreth orës 00:30, në hyrje të fshatit Shalë të komunës së Lipjanit, policia ka ndaluar veturën Opel Astra me targë Kosove, dhe pas kontrollit të detajuar ka arritur të gjejë dhe të sekuestroj:

• Një (1) armë automatike AK47,
• Një (1) revole të tipit Zastava, të kalibrit 9 mm,
• Tre (3) copë fishek të kalibrit 7.62 mm,
• Një (1) karikator, si dhe
• Një (1) pajisje optike për armë.

Të dyshuarit;

 V. Z, mashkull 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe
 M. K, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
janë shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit të njëjtit janë proceduar më tej.

Se këndejmi sigurojmë qytetarët se strukturat policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale.