Saturday, January 22, 2022

Prag tragjedie, si u përmbys në Serbi autobusi nga Kosova

Për pak sa nuk është kthyer në tragjedi një aksident i ndodhur në Serbi. Sipas mediave lokale një autobus nga Kosova i mbushur me pasagjerë ka dal nga rruga dhe për pasojë është përmbysur. Si pasojë e këtij aksidenti 17 persona kanë mbetur të lënduar dhe fatmirësisht nuk ka pasur viktima.

Nga informacionet e deritanishme asnjë nga të lënduarit s’është në rrezik për jetë. Autobusi ishte nisur drejt Gracit, ndërsa rreth orës 21:45, autobusi i kompanisë turistike “Zhitia Tours” është rrotulluar në Krushevc të Serbisë. Sipas kompanisë, shkak i përbysjes së autobusit kanë qenë vështirësitë në rrugë dhe ngricat.

Autobusi në targa të Kosovës ishte nisur nga Prishtina drejt Grazit të Austrisë. Pasagjerët që nuk pësuan lëndime vazhduan rrugëtimin e tyre me një autobus tjetër që u erdhi në ndihmë.

Ndërkaq, sot në orët e mëngjesit kompania Zhitia Tourist njoftoi se të nëntë personat nuk kanë lëndime serioze dhe pasagjerët që ishin në autobus tashmë janë rrugës për në Slloveni.

“Falënderojmë Zotin që nuk kishte lëndime serioze , pasagjerët që ishin në autobusin kur ndodhi aksidenti tashmë janë rrugës për në Slloveni. Ju falënderojmë për ndihmën sinqeritetin e besnikërinë tuaj ndaj nesh”, thuhet në postimin e kësaj kompanie.

Mbrëmë Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) është aksidentuar rreth orës 22:00 në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Qeveria njoftoi se janë 9 udhëtarë që kanë pësuar lëndime, por që janë jashtë rrezikut për jetë.

“Sipas informatave të para, janë 9 udhëtarë të lënduar në spital dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Kompania e udhëtimit ka nisur një autobus tjetër që t’i marrë udhëtarët që të vazhdojnë udhëtimin për në Graz. Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhej në njoftimin e qeverisë.