Friday, January 21, 2022

Pse duhet të futet Edukata Seksuale në shkolla?

Dy protesta janë organizuar për të kundërshtuar dhunën seksuale në shkolla, ndërkaq në rrjetet sociale ka nisur një fushatë për edukimin e djemve dhe mbrojtjen e vajzave. Por, çka thonë psikologët dhe sociologët për dukurinë e sulmeve seksuale?

Videoja ku një i mitur shihet duke e sulmuar seksualisht një vajzë, po ashtu të mitur, në oborrin e një shkolle në Prishtinë, ka tronditur vendin. 

Megjithatë, pak orë pas publikimit kjo video u largua nga mediet, me kërkesë të Policisë së Kosovës, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së re të fëmijëve. 

Këtë javë, ky rast ua hapi rrugën edhe shumë rrëfimeve të tjera rreth ngacmimeve seksuale në shkolla. Ndonëse shumica çojnë gishtin kah arsimtarët, sulmi ndaj 6-vjeçares ishte kryer nga disa djem më të mëdhenj se ajo, por edhe ata të mitur. 

Por, cilët janë shkaktarët e sulmeve seksuale nga fëmijët dhe si duhet të parandalohen ato?

Sociologia Linda Gusia, ka deklaruar për Express se është e nevojshme futja e Edukatës Seksuale si lëndë mësimore në shkolla. 

Sipas saj, kjo do t’i mësonte nxënësit rreth etikës dhe respektit ndaj integritetit të trupit të tjetrit. 

“Duhet të jetë më sistematik kujdesi i fëmijëve në shkolla. Lënda e Edukatës Seksuale nuk është vetëm për t’i mësuar fëmijët për raporte e marrëdhënie seksuale, por për t’i mësuar për njëfarë etike, respekti e integriteti të trupit të tjetrit. Mendoj se sidomos ky aspekt i etikës, seksizmit dhe integritetit të trupit të tjetrit është diçka që duhet të ishte më sistematikisht e trajtuar në shkolla në kurrikulat tona”, ka deklaruar Gusia. 

Gusia tha se kjo që ka ndodhur është një fenomen, pasi fëmijëve iu ekspozohen përmbajtje të papërshtatshme. 

“Jo vetëm të lihet si diçka që i përket vetëm familjes. Po, familja është shumë e rëndësishme, por pastaj shkollat dhe institucionet tjera shoqërore edhe mediat e përmbajtjet e ndryshme që fëmijëve iu ekspozohen. Kjo çka ka ndodhur është fenomen që mendoj se fatkeqësisht ndodh shumë më shpesh, kësaj here është regjistruar, është bërë e madhe sepse ka ndodhur në kryeqytet, por mendoj se është diçka që ndodh shumë më sistematikisht”, ka deklaruar Gusia. 

Ajo tutje tha se si shkaktar të këtyre sjelljeve nga fëmijët janë seksizmi dhe dhuna ndaj vajzave e grave. 

Sipas Gusisë, kjo është një kulturë e bazuar në urrejtjen ndaj vajzave dhe grave e që merr trajta të ndryshme. 

“Mendoj se në esencë janë seksizmi dhe dhuna ndaj vajzave dhe grave. Mendoj se është një kulturë e cila është e bazuar në mizogjini, në urrejtje ndaj vajzave dhe grave dhe mendoj se kjo pastaj merr trajta të ndryshme edhe për shkak të një patriarkalitetit të shoqërisë sonë që s’e respekton vajzën e gruan, por edhe për shkak të përmbajtjeve të ndryshme që fëmijët, djemtë e vegjël ekspozohen në media sociale, në internet, mendoj se është edhe ajo, është njëfarë kombinimi i tmerrshëm i ekspozimit të këtyre djemve ndaj këtyre përmbajtjeve të ndryshme, por është edhe një kulturë e përgjithshme e mizogjinisë”, ka deklaruar Gusia. 

Ndërkaq sipas psikologut dhe sociologut Besnik Peci, sjellja e fëmijëve në rastin e raportuar, është e mësuar dhe duhet të trajtohet si e tillë. 

Peci ka deklaruar për Express se të gjithë fëmijët në videon e publikuar janë viktima të dhunës direkte apo indirekte dhe të gjithë duhet të marrin trajtim psikologjik. 

“Ajo është një sjellje e mësuar, është sjellje e imituar dhe si e tillë duhet të trajtohet. Në parim, që të gjithë në video janë viktima të dhunës direkte apo indirekte dhe si rezultat të gjithë duhet të marrin shërbimin dhe trajtimin psikologjik, që thjesht ata dhe familjet e tyre t’i tejkalojnë këto situata të reja të cilat janë krijuar tashmë”, ka deklaruar Peci. 

Peci tha se ky rast është një alarm për shoqërinë dhe nuk duhet të neglizhohet. Sipas tij, shkollat duhet të kenë patjetër psikologët dhe punëtorët socialë, për të punuar rreth parandalimit të këtyre rasteve. 

“Është një dëm i shkaktuar, por është një alarm, një panik dhe një sinjal që nuk duhet ta neglizhojmë si shoqëri. Tash e sa vite ne komuniteti i psikologëve jemi duke bërë thirrje që psikologët dhe punëtorët socialë të punësohen në shkolla, për arsyen e thjeshtë sepse duhet të punohet shumë preventivë për të mos ardhur deri këtu, por kjo nuk mjafton”, ka deklaruar Peci. 

Një problem tjetër i cili ka ndikim në sjelljen e tillë të fëmijëve, sipas Pecit është edhe përmbajtja të cilës fëmijët i ekspozohen në mediat sociale. 

Sipas Pecit, një përmbajtje e tillë duhet të reduktohet dhe kufizohet nga organet gjegjëse shtetërore. 

“Konsideroj se në Kosovë qasja në aparatura teknologjike dhe kanale të ndryshme virtuale me përmbajtje joadekuate për moshën e fëmijëve është shumë e lehtë dhe nëse së shpejti organet gjegjëse nuk marrin përgjegjësi që t’i reduktojnë dhe t’i kufizojnë këto kanale të ndryshme komunikimi dhe qasje me përmbajtje joadekuate për fëmijë, program i cili do të inkorporonte edhe trajnimin, edukimin dhe sensibilizimin e prindërve se si dhe kur duhet të iu ofrojnë fëmijëve në këto aparate elektroteknike, atëherë ne mund të shpresojmë se në të ardhmen do të kemi më pak probleme në këtë drejtim”, ka deklaruar ai. 

Peci thotë se nëse nuk ndërmerret diçka në parandalimin e përmbajtjeve që fëmijët shohin në internet, do të ketë raste të ngjashme prapë. 

“Përndryshe nëse vazhdohet kjo qasje e pa limituar e fëmijëve në internet, përjashto kulturën familjare, pavarësisht çfarë jepet ajo, mendoj se në të ardhmen do të kemi raste të tilla prapë”, deklaroi ai. 

Peci tha se janë dy lëndë të cilat duhet të përfshihen në shkolla, për të ndikuar në ndërtimin e personalitetit të fëmijëve. 

“Janë dy lëndë të cilat konsideroj ndikim drejtpërsëdrejti në ndërtimin e personaliteteve të mirëfillta të fëmijëve tanë. Është Edukata Morale dhe Fetare dhe në kuadër të Edukatës Qytetare t’i kushtohet rëndësi specifike edukimit seksual, aty të mësohet një kapitull i gjatë varësisht prej moshës së fëmijëve, të trajtohet ai problem në mënyrën më adekuate të mundshme, që të mos jetë tabu, por edhe konform moshës së fëmijëve të merren informatat e nevojshme se si i mbrojnë ata prej këtyre akteve”, tha ai. 

Peci deklaroi se për t’i mbrojtur fëmijët, prindërit dhe mësimdhënësit duhet t’i kenë informatat e nevojshme për ngacmimet përmes kanaleve virtuale.

“Me keqardhje, por në bazë të kësaj çka po shohim, rezulton se atyre iu mungojnë vetë informatat. Prandaj mendoj se duhet të ketë kampanja sensibilizuese për të gjitha këto kategori. Po ashtu bëj apel tek organet gjegjëse që të rekrutohen sa më shpejt psikologët, pedagogët dhe punëtorët socialë nëpër shkolla. E vetmja mundësi që të ruhet shëndeti mendor te fëmijët dhe të reduktohen maksimalisht këto fenomene, është që shkollës t’i jepet mundësi të llogarisë në profesionistë që të trajtohen këto problematika në preventivë, jo vetëm në trajtim”, ka deklaruar Peci. 

Lidhur me sulmin seksual ndaj të miturës, të mërkurën në sheshet e Prishtinës kanë protestuar nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. 

Ata kërkuan që Edukata Seksuale të shtohet si lëndë mësimore nëpër shkolla dhe secila shkollë të ketë psikologun e vet.