E premte, 19 Prill, 2024

Pse po çalon ekonomia e Gjermanisë?

Ekonomia e dobësuar e Gjermanisë po përballet me një fillim të vështirë të vitit, sepse bujqit kanë nisur protesta gjithëkombëtare kundër planeve të Qeverisë për t’i kufizuar subvencionet e naftës, dhe vozitësit e trenave synojnë të futen në grevë për shkak të mosmarrëveshje rreth pagave.

Ekonomia gjermane, më e madhja në Evropë, ishte më e dobëta në mesin vendeve të eurozonës viti e kaluar, për shkak të ndikimit të kostos së lartë të energjisë, porosive të vogla globale dhe normave të larta rekorde të interesit.

Qeveria e pësoi një goditje të rëndë në nëntor, kur gjykata më e lartë e Gjermanisë ia rrëzoi planet për buxhetin e vitit 2024, duke nxitur përçarje politike për mënyrën se si duhet të plotësohet hendeku për financim në vlerë prej 17 miliardë eurove.

Telashet afatgjate në strukturim me të cilat përballet fuqia punëtore dhe infrastruktura e Gjermanisë, mbesin të pazgjidhura.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se ekonomia e Gjermanisë do të jetë e vetmja që pësoi rënie në vitin 2023, dhe rritja e saj prej 0.9% tani, pritet të jetë nën mesataren prej 1.4% të ekonomive të përparuara në vitin 2024.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej sfidave me të cilat përballet Gjermania më 2024:

Protestat

Koalicioni i kancelarit Olaf Scholz i ka bërë më të pëlqyeshme propozimet në planin e rishkruar të buxhetit për kufizimin e subvencioneve për naftën. Megjithatë, kryetari i Shoqatës së Bujqve Gjermanë tha se këto ndryshime nuk mjaftojnë për bujqit, prandaj ata i nisën të hënën protestat gjithëkombëtare.

Edhe marrëveshja e Krishtlindjes e shpallur nga shoqata e vozitësve të trenave, GDL, përfundoi të hënën. GDL-ja u fut në një grevë të mërkurën, për shkak të mosmarrëveshjes rreth pagave me operatorin hekurudhor, Deutsche Bahn.

Greva gjithëkombëtare, që do të zgjasë tri ditë, duke bërë që udhëtimet me tren për qindra mijëra njerëz të anulohen.

Telashet buxhetore

Koalicioni trepartiak i Scholzit njoftoi në dhjetor për arritjen e pajtimit për pikat kryesore të projektligjit të buxhetit për vitin 2024, pas disa javëve bisedime, për shkak se Gjykata Kushtetuese e vendit e mori një vendim që ia bëri rrëmujë financat Qeverisë.

Siç ka kërkuar ministri i Financave Christian Linder, një ithtar i kushtëzimeve të ashpra buxhetore, Gjermania do t’i kthejë kufizimet për huamarrje në vitin 2024 dhe do t’i plotësojë hendeqet në financim në vlerë të përgjithshme prej 17 miliardë euro kryesisht me paratë e kursimeve.

Kjo do ta zvarrisë edhe më shumë rritjen e ngadalshme ekonomike. Tri institute të mëdha ekonomike në Gjermani i kanë ulur parashikimet e tyre për rritje ekonomike në vitin 2024, duke thënë se kriza buxhetore po e ngadalëson rimëkëmbjen.

Ifo parashikon tani që ekonomia gjermane të rritet për 0.9% vitin e ardhshëm, në vend se të rritet 1.4%, ndërsa RWI i uli parashikimet e veta nga 1.1% në 0.8%. DIW i uli parashikimet nga 1.2% në 0.6%.

“Pasiguria është duke e vonuar rimëkëmbjen tani, pasi i rrit prirjet e konsumatorëve për të kursyer dhe e ul gatishmërinë e kompanive për të investuar”, tha shefi i Ifo-s, Timo Willmershaeuser.

Koalicioni i dobësuar

Mosmarrëveshjet rreth buxhetit i kanë rritur tensionet në koalicionin mes tri partive dhe sondazhet tregojnë se fituesit e mëdhenj të krizës janë konservatorët nga opozita dhe partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (Afd).

Tensionet e rritura dhe nevoja për t’u përqendruar në përfundimin e marrëveshjes për buxhetin e vitit 2024 janë duke i vonuar reformat strukturore të premtuara nga Qeveria pas ardhjes në pushtet, përfshirë për ta hequr burokracinë, për t’i bërë online qindra shërbime qeveritare dhe për ta modernizuar transportin publik.

Telashet strukturore

Gjermania, si vendet e tjera të industrializuara në botë, po përballet me mungesë të madhe të punëtorëve, veçanërisht për ata të kualifikuar. Parashikimet zyrtare tregojnë se Gjermania do të përballet me mungesë të 7 milionë punëtorëve të kualifikuar deri në vitin 2035, për shkak të popullsisë së moshuar.

Qeveria po kërkon të marrë emigrantë nga vendet jashtë BE-së për ta plotësuar mungesën e punëtorëve.

Tregtia

Ekonomia e Gjermanisë është tejet e përqendruar në tregti, prandaj është e ndjeshme ndaj ngjarjeve ndërkombëtare të cilat i zvogëlojnë kërkesat për eksport.

Rritja e dobët globale, posaçërisht në Kinë, si dhe normat e larta të interesit, pritet të ndikojnë në zvogëlimin e kërkesave për eksportet gjermane.

Pengesat në transportimin e mallrave në Detin e Kuq dhe përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme mund ta dobësojnë edhe më shumë tregtinë.

“Si pjesa tjetër e ekonomisë gjermane, eksporti është në fushën mes rënies dhe ngecjes”, tha Carsten Brzeski nga ING./REL

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer