Publikohen rezultatet -Në produktet e qumështit “VITA” pati vaj palme, por nuk ishte deklaruar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka publikuar raportin përfundimtar të mostrave të testuara të qumështit në industrinë e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të qumështit.
Bekim Hoxha, drejtor i Agjencisë, tha se rezultatet e monitorimit kanë evidentuar 93 mospërputhje në produktet e qumështit.
Në tabelën e prezantuar në konferencë për media, në mesin e produkteve ku është konstatuar prania e vajit të palmës figuron edhe qumështi i kompanisë VITA.
Në tabelë, te kolona “Mospërputhja”, për produktet e kompanisë VITA përshkruhet se është “vaj palme i detektuar, jo i deklaruar”, që nënkupton se analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e vajit të palmës, ndërsa kjo nuk ishte e deklaruar në etiketën e produktit.
Lista e publikuar nga AUV përfshin edhe kompani të tjera, përfshirë ALDI, Abi SH.P.K. dhe Abrazen L.L.C., ku në disa produkte janë evidentuar mospërputhje të ngjashme, si prania e vajit të palmës dhe në raste të caktuara edhe e yndyrave bimore të padeklaruara..






