LAJME

Pushteti i LDK’së në Istog bllokon tenderin 600 mijë eurosh? “Zhdukja” e dokumentit çon në Prokurorinë Speciale Ilir Feratin dhe zyrtarë të tjerë

Tenderi trevjeçar për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës dhe Parkut në Vrellë është bllokuar prej më shumë se 10 muajsh (mbi 308 ditë) për shkak të “zhdukjes” së një dokumenti kyç financiar. Të paktën, kështu po pretendon kompania e rekomanduar si fituese, “NNP CTA SH.P.K.”, e cila ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryetarit të Komunës së Istogut, Ilir Ferati, Zyrtarit Kryesor Financiar, Qëndrim Ibrahimaj, Drejtoreshës së Kulturës, Era Rexhaj, dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës.

Një procedurë e prokurimit publik në Komunën e Istogut, me vlerë mbi 593 mijë euro, është shndërruar në një skenar “ping-pongu” byrokratik, me dyshime të fortë për vepra penale.

Në qendër të këtij përplasjeje është projekti 3-vjeçar “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës dhe Parkut në Vrellë”. Sipas pretendimeve të operatorit ekonomik në kallëzim penal, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, edhe pse më 30 tetor 2025 Komisioni Vlerësues kishte rekomanduar njëzëri shpërblimin e kontratës për operatorin ekonomik “NNP CTA SH.P.K.” me çmim prej 593,213.14 euro, vendimi përfundimtar nuk është publikuar kurrë, shkruan insajderi.

Operatori ekonomik në kallëzim penal pretendon më tej se është “avulluar” Deklarata e Disponueshmërisë së Mjeteve Financiare (DNPDF/B04), dokument pa të cilin ligjërisht nuk mund të nënshkruhet kontrata.

Sipas parashtruesit të kallëzimit penal, zvarritja e procedurës për mbi 300 ditë (ndërkohë që afati maksimal ligjor është 30 deri në 50 ditë sipas Nenit 40.3 të Rregullores së Prokurimit Publik) ka dëmtuar kompaninë, duke i bllokuar garancionet bankare, stafin profesional dhe kapacitetet teknike, si dhe duke i pamundësuar shfrytëzimin e mjeteve juridike (siç është ankesa në OSHP).

Në bazë të kallëzimit penal, Zyra e Prokurimit pretendon se e ka nënshkruar dokumentin dhe ia ka përcjellë Njësisë së Kërkesës për nënshkrimet e tjera. Në anën tjetër, Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, kishte deklaruar, sipas kallëzimit penal, se dokumentet është dashur të përfundohen nga prokurimi dhe të silleshin në zyrën e tij, gjë që sipas tij nuk kishte ndodhur.

Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Zyrtari Kryesor Financiar, Qëndrim Ibrahimaj, ka sqaruar se roli i tij fillon vetëm pasi dokumenti i alokimit të mjeteve i përcillet zyrtarisht nga Zyra e Prokurimit. Ibrahimaj është arsyetuar se nuk ka kompetenca hetuese apo mbikëqyrëse për të gjurmuar qarkullimin e letrës mes zyrave.

“Deri më datë 14.07.2026 nuk kam pasur asnjë informacion për këtë rast. Në këtë datë, z. Zija Morina ka bërë kërkesë dhe ka ardhur personalisht në zyrën time duke kërkuar gjetjen e dokumentit DNPDF/B04. Të njëjtit i kam treguar se unë, si drejtoreshë e re, nuk jam në dijeni të këtij rasti dhe se nga emërimi im e deri më tani ky dokument nuk është përcjellë në zyrën time”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se pas kërkesës së operatorit ekonomik i është drejtuar Menaxherit të Prokurimit për sqarime, por nuk ka marrë asnjë përgjigje apo dokument deri më sot. Për më tepër, ai ka prezantuar edhe shifrat e alokimeve financiare për projektin për vitet e ardhshme, duke thënë se mosveprimi i prokurimit nuk mund t’i vishet si përgjegjësi zyrtarit financiar.

Nga ana tjetër, Drejtoresha e Kulturës, Era Rexhaj, e ka cilësuar të padrejtë përfshirjen e saj në kallëzimin penal. Rexhaj ka deklaruar se ka marrë detyrën vetëm në mars të këtij viti, muaj pasi kishte nisur procesi i prokurimit, kështu që nuk ka qenë pjesë e inicimit apo zhvillimeve paraprake.

“Deri më datë 14.07.2026 nuk kam pasur asnjë informacion për këtë rast. Në këtë datë, z. Zija Morina ka bërë kërkesë dhe ka ardhur personalisht në zyrën time duke kërkuar gjetjen e dokumentit DNPDF/B04. Të njëjtit i kam treguar se unë, si drejtoreshë e re, nuk jam në dijeni të këtij rasti dhe se nga emërimi im e deri më tani ky dokument nuk është përcjellë në zyrën time. Për këtë arsye, nuk kam se si të argumentoj se ku gjendet dokumenti. Të njëjtën përgjigje e kam dhënë edhe më datë 16.07.2026, ku kërkesa është refuzuar me arsyetimin se nuk kam dëshmi se ku gjendet DNPDF/B04, kjo kërkesë nuk hyn në të drejtat e tij si operator ekonomik dhe i është sugjeruar t’i drejtohet Zyrës së Prokurimit”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetes deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Insajderi.org/

//BODY PART STICKY - Implement into the footer