Tuesday, August 3, 2021

Reagon Wenger pasi Ozil u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar Fenerbahce

Arsene Wenger e ka uruar Fenerbahcen për afrimin e pashmangshëm të Mesut Ozilit dhe ka thënë se mesfushori 32-vjeçar është në gjendje ta frymëzojë skuadrën drejt titullit të kampionit në Turqi.

Ozil u përshëndet me bashkëlojtarët e vet në qendrën stërvitore të Arsenalit të dielën, para nisjes drejt Turqisë, duke i dhënë fund karrierës shtatëvjeçare e gjysmë në Londrën veriore, raporton Gazeta Express.

Arsenali i dha atij leje për të udhëtuar drejt Stambollit, ku ai mbërriti të dielën pasdite dhe tani pritet t’iu nënshtrohet testeve mjekësore para se ta finalizojë marrëveshjen me Fenerbahcen, klubin përkrahës i të cilit ka qenë që prej fëmijërisë.

Në të kaluarën, Wenger e kishte shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen e Ozilit, pasi fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë nuk ka luajtur që prej marsit të vitit 2020 për Arsenalin.

“Ai do të jetë blerja më e madhe e afatit kalimtar të janarit, sepse bota e futbollit është paksa e qetësuar”, tha Wenger para kalimit të Ozilit në Fenerbahce.

“Në përgjithësi, për Fenerbahcen është një lajm fantastik, pasi klubi është në pozitë të mirë në ligë dhe mendoj se ai mund ta bëjë atë klub edhe më të fortë për ta fituar titullin”, shtoi ai.