Sunday, July 25, 2021

Shkon në 15 numri i të lënduarve nga shpërthimi në ‘Marigonë’

Ka shkuar në 15 numri i të lënduarve nga shpërthimi në lagjen Marigona në Çagllavicë. Të gjithë ndodhet në Klinikën Emergjente për trajtim mjekësor. Shumica kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe duar. 

Kështu ka bërë të ditur Drejtori i kësaj klinike Basri Lenjani.
Lenjani tregoi se pesë prej tyre kanë marrë lëndime në kokë, njëra nga të lënduarat ka marr lëndime në shpinë dhe një tjetër lëndime në duar dhe gishta.

“Sot rreth orës 12:40 në Klinikën Emergjente janë sjellë 13 persona të lënduar, ku dy të tjerë janë sjellë më vonë, gjithsej 15 persona. Shtatë janë me djegie të fytyrës dhe duarve, pesë janë më lëndime të kokës, njëra me lëndime të shpinës dhe tjetra lëndime në duar dhe gishta”, ka thënë Lenjani.

Në shpërthimin e fuqishëm që ndodhi në lagjen Marigona, të lënduar kanë mbetur 13 persona.
Të gjithë janë të moshës së re.

Kështu ka bërë të ditur Ejup Govori mjeku përgjegjës që ishte në ndrim në QKUK.  

“Për shkak të djegies së lartë, pranohen në kirurgjinë plastike, ata momentalisht janë duke u trajtuar nga kirurgët plastikë me konsultim me ta, më thanë që të gjithë pranohen për shkak të shkallës së lartë të djegies, sidomos kur djegia është në fytyrë, ajo është shumë më serioze. 3 raste i kemi me lëndime të kokës, nuk janë lëndime të rënda, disa me lëndime të gishtërinjve, dhe një në shpinë. Të gjitha këto janë lëndime të lehta, por u janë shkaktuar lëndime duke ikur nga vendi i ngjarjes. Janë të moshave kryesisht të reja, një është 2001, një 1993, një 1984, 1997, kryesisht mosha të reja”, ka thënë ai

Edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës rajoni i Prishtinë, Flora Ahmeti për Telegrafin tha  se 12 persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një shpërthimi të një bombole gazi, i cili ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën Prishtinë-Ferizaj.