Friday, July 30, 2021

Si kryhet prostitucioni në qendrat e masazhës në Prishtinë

Burrë e grua, nga shkurti i vitit 2017 deri në nëntor të 2018-s kishin hapur një sallon masazhi në lagjen Kalabria të Prishtinës.

Edhe pse 350 metra në afërsi të një kopshti fëmijësh, ky sallon u shfrytëzua edhe për dukuri të tjera ilegale.

M.D dhe L.D do të ballafaqohen me gjykatën, pasi dyshohet se kanë organizuar veprimtari prostitucioni në këtë qendër masazhi, në bashkëpunim me A.B.

Në aktakuzën e Prokurorisë të ngritur më 5 nëntor 2020, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Radio Televizioni i Kosovës, thuhet se ka prova të mjaftueshme që 3 personat e dyshuar të ballafaqohen me drejtësinë.

“Të pandehurit M.D dhe L.D në bashkëkryerje me A.B. u kanë organizuar punëtoreve takime për qëllime seksuale me klientë të ndryshëm. Duke shfrytëzuar gjendjen e tyre ekonomike, pasi kishin nevojë për punë, si dhe duke i kërcënuar me largim nga puna, të pandehurit përveç shërbimeve të masazhit, i kanë detyruar punëtoret që të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë nga 35-50 euro, duke i ndarë në përqindje”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokuroria ka intervistuar një numër dëshmitarësh, ndër të cilët edhe klientë të kësaj qendre, e që kanë rrëfyer për punët që janë kryer aty.

“Kam qenë shumë herë në sallonin përkatës të masazhit, pronarë të të cilit janë M.D dhe L.D. Nga punëtoret kam marrë shërbime masazhi dhe shërbime të tjera. Punëtoret e masazhit më kanë prekur në pjesët intime dhe për këtë kam paguar ekstra. Sa më kujtohet, ato kanë qenë me pseudonim K. S. dhe E”, ka rrëfyer dëshmitari B.B për Prokurorinë.

Se kjo qendër është shfrytëzuar për prostitucion, e kanë konfirmuar edhe punëtoret e saj. Ato kanë treguar se ka pasur klientë që kanë paguar deri në 400 euro.

“M.D më ka ofruar disa klientë për shërbime seksuale në këmbim të parave. Disave ua kam ofruar shërbimin në fjalë. M. më kontaktonte në telefon dhe më thërriste në sallon. L. dhe M. kanë qenë gjithmonë së bashku rreth aranzhimeve. Njëri klient më ka thënë se i ka dhënë 400 euro për mua, ndërsa të tjerët më kanë thënë se kanë dhënë para për mua, por pa treguar shumën”, shprehet dëshmitarja V.K, punëtore në sallon. Punëtoret në fjalë nuk kanë pasur asnjë certifikim shëndetësor për kryerjen e masazheve.

“Pronari më ka thënë se do të paguhesha me përqindje. Prej një masazhi që kushtonte 30 euro, unë do t’i merrja 10 euro. Nuk kam asnjë certifikatë për këtë punë. Gjatë punës, klientët kanë kërkuar shërbime ekstra. Një klient ka kërkuar këtë shërbim dhe më ka zëvendësuar masazherja A.B”, tregon A.B, një tjetër punëtore.

Në lidhje me këtë rast ende nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, gjë e cila pritet të ndodhë së shpejti. Me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, të vlerësuar shumë shqetësuese, Policia e Kosovës ka ndërmarrë shumë aksione.

Në mesin e viteve 2019-2020, Policia ka hapur 23 raste për prostitucion, ka ngritur kallëzime penale ndaj 56 personave, kurse ka kryer 68 insepktime në sallone të masazheve.

Shqetësime në lidhje me funksionimin e qendrave të masazhit ka pasur në vazhdimësi gjatë viteve të fundit, sidomos nga banorë të lagjeve ku funksionojnë këto qendra.