Friday, July 30, 2021

Si më mbeti emri “kurvë”?

Deri në çastin që shpërtheu lajmi i ndarjes sime nga partneri, në familjen time kisha emër e mbiemër. Kisha një familje. Kisha një punë që më paguante mirë dhe ja kisha dalë vetë mbanë, duke paguar qiranë dhe shpenzimet e shtëpisë. Por, nga çasti i ndarjes, mua më quajtën “kurvë”, me apo pa arsye, shkruan “Kosovarja”.

Sapo morën vesh që unë kisha kërkuar vetë të ndahesha e t’i jepja fund fejesës, papritur i humba të gjitha këto.

Humba prestigjin, suksesin, mençurinë, dhembshurinë, ambicien, madje edhe emrin tim të plotë dhe tani më njohin thjesht: “Ajo kurva!”

Në anën tjetër, isha shumë e vetëdijshme se te ne, shqiptarët, etiketa “kurvë” u vihet pa asnjë përjashtim çdo gruaje që tradhton partnerin, kryen seks për ndonjë interes, vesh veshje të cilat ekspozojnë pjesët e ndjeshme të trupit apo kalon numrin prej 3 të dashurish në jetë, sipas fjalëve të hallkut.

Në këtë kategori, të mos harrojmë edhe “atë tjetrën”, pra dashnoren që shkon me burrë të martuar…

E, unë nuk isha “kurva” sipas asnjërit standard të mësipërm. As nuk e kisha dëmtuar ndonjë mikeshë qëllimisht. Nuk kisha tradhtuar askënd. Edhe me veshje nuk dallohesha pothuajse as nga motrat e nderit…

Nuk ia kam dhënë trupin askujt në këmbim të ndonjë interesi. Madje-madje edhe me numrin e partnerëve seksualë isha brenda rregullave, sepse ish-partneri im ishte i dyti që unë kam pasur deri më tash…

Është e vërtetë se Emini më donte pa masë. Gjatë gjithë viteve që ishim bashkë, ai ma shprehte çdo ditë se sa shumë më dashuronte dhe se si donte të kishte një familje me mua…

Kur kësaj do ia shtoja edhe faktin se ai nuk më tradhtonte asnjëherë (duke marrë parasysh që përpara meje ai kishte pasur me dhjetëra histori tradhtie), Emini, vërtet, për sytë e jashtëm, përbënte mashkullin ideal.

Dhe, a mjaftonte vetëm dashuria? Ai kërkonte të lindja fëmijë, e unë nuk ndihesha e gatshme, sepse ende isha studente.

Dhe, kur mua m’u propozua një vend pune ëndrrash, në njërën nga ministritë tona, njeriu i parë që mora në telefon ishte Emini.

Kosova në ty paska mbet, a?!
“Po, a? A po do edhe në punë me shkua, a?! A Kosova në ty ka mbet, a?!”, ma ktheu me një zë të ashpër.

Por, edhe pse më bërtiti e më bërtiti, unë i thashë “po” punës në ministri. E, kur pas një kohe nisa të udhëtoja jashtë me punën, ai gjithmonë më priste turivarur…

E, nëse do i përmendja qoftë edhe një emër mashkulli që ishte pjesë e udhëtimit, do të plaste sherri…

“Nëse unë udhëtoj me detyrë pune, nuk do të thotë se domosdoshmërish do të bëj seks me çdo mashkull që takoj në hotel!”, i thashë herën e fundit që isha në udhëtim.

Dhe, sa më shumë që bëja përpjekje për t’u avancuar në punë, aq më shumë ai përpiqej t’më pengonte… Përpiqej të lindja fëmijë dhe të mos merrem me asgjë tjetër…

Andaj, stresi e bëri të veten. Dhe, më në fund, kur edhe bëra përpjekje të mbetëm shtatzënë, nuk arrija dot…

Prandaj, sa herë që mendoja të sillja në jetë një fëmijë, në një atmosferë çfarë edhe jetonim unë me Eminin, zmbrapsesha.

Një herë, teksa po diskutoja me të se si ta sjellim në jetë një fëmijë, i thashë Eminit të kërkonim ndihmë nga mjeku a psikologu.

Për çudi, m’i nguli sytë i habitur. “Ndihmë, për të lindur një fëmijë, a?!”, më tha i habitur, dhe vazhdoi: “Pse, a të sëmurë jemi ne, a?!”.

“Ndoshta edhe jemi të sëmurë!”, ia ktheva troç, sepse më nuk kisha kah t’ia mbaj.

Dhe, pas një jave zënkash, vendosëm të shkojmë në vizitë te mjeku. Pasi i bëmë analizat, doli se ai ishte steril. Kjo më brengosi shumë, madje shumë…

Kështu, nga ai moment, partneri im, njeriu me të cilin unë kisha ëndërruar se do e kaloja gjithë jetën, gjithmonë e më shumë ushtronte trysni kundër meje.

Andaj, aq shumë më duhej të luftoja me sjelljet e këqija të tij, saqë jeta edhe nisi t’më bëhej monotone…

Çdo ditë e më shumë e shihja veten se si po degradoja në një nevrike, se si po e humbja durimin dhe se si gradualisht po mësoja të gënjeja, edhe për gjënë më të vogël, thjesht për t’i evituar të gjitha ato “fantazi” të kokës së tij, të pakuptimta.

Ndaj, vendosa që një ditë t’i jepja fund kësaj pune.
“Do të them një lajm!”, i thashë.
“Çfarë ka?”, më tha.

“Kam vendosur të ndahemi. Dhe, më mirë do të ishte të ndahemi si miq, sesa të bëjmë ndonjë budallaki e ta ofendojmë njëri-tjetrin”, ia ktheva.

Dhe, kur të nesërmen u largova prej tij, bashkë me rrobat e mia dhe u zhvendosa në familjen time, në shtëpi më pritën me fjalët: “Po, e kemi ditur se ti je kurvë!”.

E, fjalët e tyre më rënduan shumë. Madje, më shumë se ato të Eminit… Venita.