Friday, July 30, 2021

Skenderaj/Rreth 40 mësimdhënës padisin Komunën

Skenderaj është komuna e parë në gjithë Kosovën që ka nisë të kryejë pagesat në emër të shujtës për mësimdhënës, proces ky që ka nisur e përfunduar para festës së vitit të ri. Sipas drejtorit komunal të Arsimit, Bekim Latifi, janë 800 mësimdhënës të komunës së Skenderajt të cilëve u janë bërë pagesat në emër të shujtës për periudhën trevjeçare. Pagesa është bërë me mjete nga buxheti komunal, shkruan Rajoni.

“Ne si Komunë kemi kompensuar rreth 800 mësimdhënës, me një vlerë prej 800 mijë eurove, për tri vite. Kësisoj, Skenderaj është komuna e parë në Kosovë që ka bërë pagesën për shumicën e mësimdhënësve, pa pasur nevojë që kjo e drejtë të kërkohet nëpërmjet gjykatave”, është shprehur Latifi.

Sipas tij, janë afërsisht 40 mësimdhënës, të cilët kanë ngritur padi ndaj Komunës, për shujta. Mësimdhënësi S.S nga kjo komunë, është njëri ndër ata që të drejtën e tyre po e kërkojnë me anë të gjykatës. Ai thotë se ka dhe kolegë të tij që nuk janë kompensuar, prandaj janë në proces gjyqësor.

Ndërkaq, drejtori Latifi siguron se, në momentin kur gjykata që është duke i trajtuar këto raste, nxjerr vendim, Komuna do t’i kryejë edhe pagesat e mbetura. Në këtë rast, Komuna do të obligohet të paguajë më shumë, ngase rastet kanë shkuar në gjykatë./Rajoni.org/