“Tender me fitues të paracaktuar”, Shkon në OSHP tenderi 900 mijë eurosh i Komunës së Fushë Kosovës
Kompania “Alliance” ShPK ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Komunës së Fushë Kosovës të udhëhequr nga Valon Prebreza i Vetëvendosjes për tenderin me vlerë të parashikuar 900 mijë euro, me titull: “Digjitalizimi në objektet shkollore (Digjitalizimi i procesit shkollor – zhvillimi i softuerit shkollor, blerja e Smart Boards dhe pajisjeve për evidencën e vijueshmërisë) – projekt trevjeçar”, shkruan rajoni.org.
Në ankesë, kjo kompani pretendon se komuna ka refuzuar kërkesën e saj për rishqyrtim pa dhënë arsyetime të mjaftueshme dhe se dokumentet e tenderit përmbajnë kushte që, sipas saj, kufizojnë konkurrencën.
Sipas kompanisë “Alliance shpk”, specifikimet teknike të tenderit janë hartuar në mënyrë që të përshtaten me produktet SMART Technologies, duke favorizuar operatorë ekonomikë që janë të lidhur me këtë markë.
Kompania pretendon se pas hapjes së ofertave është vërtetuar se si pretendent për kontratën është paraqitur grupi i operatorëve ekonomikë Kosova Information Technology SH.A. dhe SolvIT ShPK, ndërsa thekson se SolvIT është distributor i autorizuar i produkteve SMART Technologies në Kosovë.
“Alliance shpk” pretendon gjithashtu se Komuna e Fushë Kosovës ka vendosur kritere shumë të larta për stafin profesional, duke kërkuar një numër të madh ekspertësh dhe certifikime të veçanta, gjë që, sipas saj, vështirëson pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë ekonomikë, shkruan rajoni.org.
Një tjetër pretendim lidhet me kërkesën për prezantimin fizik të tabelave interaktive, pajisjeve për evidencën e vijueshmërisë dhe softuerit para përfundimit të procedurës së tenderit. Sipas kompanisë, kjo kërkesë favorizon operatorët që i kanë këto pajisje në stok dhe krijon pengesa për konkurrencën.
Po ashtu, në ankesë pretendohet se Komuna ka vazhduar me hapjen e ofertave pa pritur përfundimin e afateve ligjore të ankimimit, duke i pamundësuar asaj paraqitjen e ofertës në kushte të barabarta.
Një tjetër pretendim lidhet me kërkesën që operatorët ekonomikë të prezantojnë fizikisht tabelat interaktive, pajisjet për evidencën e vijueshmërisë dhe softuerin që ofrojnë.
Sipas kompanisë, kjo është një kërkesë diskriminuese pasi, sipas saj, vetëm operatorët që i kanë këto pajisje në stok mund ta përmbushin lehtësisht këtë kusht, ndërsa operatorët e tjerë vendosen në pozitë të pafavorshme./Rajoni.org






