Sport

“Vokshi e Kada lanë jetën për Spanjën”, Ademi: Kosovën e kanë pritur shumë mirë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:03 / 31 March 2021

Kosova luan sot ndaj një prej skuadrave kombëtare më të forta në botë, Spanjës. Dardanët kanë udhëtuar që ditën e djeshme në Sevilje, ku do zhvillohet ndeshja dhe janë akomoduar në një nga hotelet atje.

Para kësaj sfide dhe pas gjithë polemikave për mosrespekt nga ana e Federatës së Spanjës ndaj Kosovës, shtet të cilin vendi iberik nuk e ka njohur ende, ka folur vetë presidenti i FFK Agim Ademi.

Ai shprehet se pritja ka qenë shumë e mirë dhe se përfaqësuesit atje i kanë kërkuar falje, megjithëse vetë Ademi e quan të panevojshme. Ai kujton dhe gjithë të shkuarën mes Shqipërisë, Kosovës e Spanjës.

“Nuk kam dyshuar asnjëherë te UEFA dhe FIFA dhe në rregullat dhe protokollet e tyre, të cilat sigurisht që po vërtetohen edhe sot me himn, me flamur dhe me gjithçka sipas protokolleve përkatëse.

E dimë se Spanja është një shtet jashtëzakonisht i fortë dhe i lashtë dhe ka një histori me shqiptarët. Ju e dini që këtu janë varrezat e Asim Vokshit dhe Xhemajl Kadës që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e popullit spanjoll.

Pastaj te historia e re e Kosovës dhe të krijuarit e shtetit tonë është një burrë shteti pikërisht i Spanjës, i cili ka dhënë urdhër për bombardimin e NATO-s në favor të Kosovës. Ai është Javier Solana. Po ashtu edhe ushtarët spanjollë janë pjesë e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët edhe sot janë në Kosovë.

Duke i marrë parasysh këto, unë asnjëherë nuk kam dyshuar. E falënderoj shumë Federatën e Spanjës, që na ka pritur jashtëzakonisht mirë, me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore.

U ka ardhur keq për detajet, sepse ka qenë më shumë mediatike, sesa politike. Besoj se e keni vërtetuar këtë sepse është deklaruar edhe Ministrja e Jashtme, madje nga federata na kanë kërkuar edhe falje. Nuk ka qenë e nevojshme për mua.

Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Ju e dini që kanë qenë edhe dy zyrtarë të UEFA-s pas deklarimeve të mia se nuk do të luajmë pa himn dhe flamur dhe më kanë garantuar edhe nga Federata e Spanjës se gjithçka do të shkojë sipas protokollit. Dhe ja, kjo po ndodh”, u shpreh Agim Ademi.