E shtunë, 26 Tetor, 2024

Shtyhet seanca ndaj katër zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”

Prishtinë- Ka dështuar të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca ndaj zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov, pasi që mungoi përkthyesi i gjuhës turke për të akuzuarin Biserov-Alekov.

“Nuk ka përkthyes në gjuhën që e kupton, e që kjo është e drejtë ligjore për një përkthim të drejtë e në pamundësi të sigurimit të përkthyesit në këtë seancës pasi që edhe i njëjti është ftuar në telefon, nën këto rrethana gjykata merr aktvendim shtyhet seanca e shqyrtimi gjyqësor”, tha gjykatësi i rastit Gëzim Ademi, raporton “Betimi për Drejtim”.

Paraprakisht, gjykatësi Ademi me propozim edhe të palëve në procedurë, bashkoi lëndën penale ndaj të akuzuarit Biserov-Alekov me tre të akuzuarit tjetër, me arsyetimin se Biserov-Alekov premton se do jetë prezent gjatë gjithë gjykimit siç ishte sot.

Kjo ngase në seancën më 26 qershor 2020 ndaj Biserov-Alekov ishte veçuar procedura, për shkak se nuk ishte paraqitur në seancë dhe se gjykata ia kishte dorëzuar ftesën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, por nuk kishin prova nëse e kishte pranuar atë në mënyrë të rregullt.

Po ashtu, gjykatësi Ademi tha se bëhet fjalë për të njëjtit dëshmitar dhe prova materiale, andaj lënda edhe me propozimin e palëve duhet bashkuar.

Kujtojmë se më 26 qershor 2020 Gurguri, Bujupi dhe Xhekaj ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që i ngarkonin, kurse më 10 shtator 2020 po ashtu i pafajshëm ishte deklaruar edhe Biserov-Alekov.

Lënda në këtë rast është gjykuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj në shqyrtime fillestare, por tashmë ka kaluar të gjykatësi Ademi pais që Kuka-Mekaj vijon punën si gjykatëse në Gjykatën Themelore në Pejë, kurse lënda duhet gjykuar në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin nNërkombëtar të  Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer