Përleshjet mes personave të gjinisë mashkullore, në vendin tonë janë të shpeshta. E gratë përfshihen më rrallë në rrahje me njëra-tjetrën, apo në raste kur sulmojnë fizikisht një grua tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundi në lagjen Brekoc të Gjakovës, një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht një 51-vjeçare.
Sinjali mëson se viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se 42-vjeçarja e ka rrahur me shuplaka e grushte dhe si pasojë ka marrë lëndime të dukshme trupore. Për këtë shkak, ajo ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
E dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin ndaj saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.