Arbër Hoxha është futbollisti më i ri i Dinamo Zagreb. Ka qenë skuadra kroata ajo e cila ka njoftuar për afrimin e ri.
Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë me klubin kroat dhe të mërkurën do t’i bashkohet trajnerit Sergej Jakiroviq dhe bashkëlojtarëve të rinj për përgatitjet në Rovinj.
Hoxha së fundmi ishte pjesë e skuadrës Slaven Belupo, ndërsa më herët e asaj të Lokomotivës.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që kam arritur një marrëveshje me Dinamon dhe jam bërë një lojtar i ri i këtij klubi të madh, më të madh në Kroaci! Falënderoj ish-bashkëlojtarët dhe trajnerin për të gjitha përvojat, për gjithçka që më kanë mësuar, por tani për për mua ka filluar prova e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës.Për një kohë të gjatë ishte dëshira ime të luaja për Dinamon dhe sapo dëgjova se kishte një interes të klubit për mua, unë nuk pata dilema”, ka thënë Hoxha. “Do të bëj çmos për të justifikuar besimin e klubit dhe për të arritur suksese të shumta dhe momente të paharrueshme së bashku!”.