E mërkurë, 23 Tetor, 2024

Pushteti bëhet gati për zgjedhje, kërkon informata për gjendjen e ambasadave

Vetëm pak ditë qëkur partitë në opozitë ashpërsuan retorikën duke përmendur edhe zgjedhjet e reja, qeveria ka kryer një lëvizje përmes së cilës “paralajmëron” të njëjtën gjë.

Qeveria i ka bënë në lëvizje shërbimet diplomatike nëpër botë që të plotësojnë disa të dhëna bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili me ndryshimet e reja të miratuara në qershorin e vitit të kaluar parasheh votimet e diasporës nëpër ambasada.

Në fillim të këtij viti, Ministria e Punëve të Jashtme u ka kërkuar secilit mision diplomatik, konsullor apo zyrë ndërlidhëse, që të mbledhin informata rreth objekteve ku ndodhen ambasadat.

Kërkesa i është dërguar përmes një letre nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behar Isma, secilit udhëheqës të shërbimeve diplomatike të Kosovës nëpër botë.

“Duke ditur se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton votimin jashtë Kosovës si një prej dipozitave kryesore, kërkojmë nga misionet konsullore, diplomatike dhe zyrat ndërlidhëse të Republikës së Kosovës jashtë vendit që të plotësohen të dhënat e mëposhtme në formatin e bashkëngjitur në Excel deri më datën 15 janar 2024”, thuhet në letrën që sekretari Isma ua ka dërguar misioneve diplomatike.

Letrën e plotë që Sekretari i MPJD-së ua ka dërguar udhëheqëve të misioneve diplomatike, e ka siguruar Paparaci.

Bazuar në këtë letër, misioneve diplomatike u kërkohet që të mbledhin të dhëna dhe t’i dërgojnë në MPJD. Të dhënat e kërkuara përfshijnë emrin e misionit, adresën, numrin e telefonit, sipërfaqen e hapësirës ku do të kryhet misioni, numrin e kateve, numrin e hyrjeve, parkingun e rezervuar, të dhëna mbi kamerat e sigurisë, sigurimit apo recepsionit dhe ndërthurjen e hapësirës.

Sapo filloi viti i ri 2024, partitë opozitare paralajmëruan se ky do të jetë “vit i zgjedhjeve”.

Krerët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj, kanë paralajmëruar zgjedhje brenda këtij viti.

Kryetari i AAK-së tha se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë.

Sipas tij, të gjitha partitë politike janë bërë gati për zgjedhje dhe se vendi është tashmë në fushatë.

“Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, tha Haradinaj në një intervistë për KosovaPress.

Partia në pushtet, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë paralajmërimet e opozitës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në një deklarim për Paparacin javën e kaluar tha se nuk pritet rezultat i mirë nga prognozat e opozitarëve.

“Personalisht mendoj se duhet të përfundoj mandati i rregullt në menyrë që Kosova, krahas shembullit për organizim të zgjedhjeve të lira, të demonstroj edhe cikle të rregullta të zgjedhjeve demokratike”, theksoi tutje ai.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur me 14 shkurt të vitit 2021, me Vetëvendosjen që fitoi mbi 50 për qind të votave dhe një shumicë të ulëseve në parlament.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer