Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në një prononcim të fundit, duke treguar për disa oferta nga jashtë vendit, ka dalur në ‘rrenë’ duke përzier një klub futbolli me pompë derivatesh.
Batatina i ftuar në RELOAD në RTV Dukagjini, tha se për të ka interesim të madh, por që i ka refuzuar të gjitha ofertat për shkak të Llapit.
Në pyetjen se pasi është pajisur me licencën e re të trajnerit (UEFA PRO), a ka frikë se do të largohet nga Llapi, ai tha: “Kemi pasur biseda këto dy tre ditë me kryesinë e klubit dhe duke e ditë që kanë ardhë tri oferta zyrtare te Llapi për të shkuar jashtë, ku njëra ishte nga Kazakistani te Astana, pastaj kisha një në Azerbajxhan dhe oferta e fundit ishte në Moldavi te Sheriff Petrol por për shkak të Llapit që ka bërë një organizim të mirë, për shkak të ecurisë dhe atë që kemi projekt këtë sezon, nuk kam dashur të lëvizë.”
Trajneri i njohur në publik për deklarata bombastike, ku së fundmi shpalli kandidaturën për trajner të Kombëtares së Kosovës, insistoi se oferta e fundit ishte serioze, madje tregoi edhe vlerën e ofruar për të.
“Tri oferta i kam refuzuar për Llapin, ku oferta e fundit ka qenë diku 380 mijë euro viti, do të thotë te Sheriff Petrol. Nuk kam dashur që t’i marrë këto mjete, për shkak se Llapin e kam ngritur nga lloqi dhe dua ta dërgojë deri në fund në luftën që kemi nisur për titull kampioni.”
Kjo nuk mund të jetë rastësi, pasi trajneri Tahir Batatina e gaboi dy herë emrin e klubit nga Moldavia, Sheriff Tiraspol, duke e quajtur Sheriff Petrol (emër pompe derivatesh në Kosovë). Mbi të gjitha ky klub për nivelin tonë, mund të konsiderohet gjigant, pasi kjo skuadër ka marrë pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve dhe krenohet me një nga qendrat më të mira stërvitore.