Arbër Zeneli nuk është më futbollist i Adana Demirsporit.
Klubi turk ka njoftuar sot se e ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistin kosovar.
“Adana Demirspor e ka njoftuar Federatën Turke të Futbollit se kontrata e Arbër Zenelit është mbyllur”, njofton mediumi turk “Sporx”, përcjell “Gazeta Express”.
Në bazë të informatave të mediave turke, ishte futbollisti kosovar ai që e ka kërkuar shkëputjen e kontratës.
Së fundmi nga Adana Demirspori janë larguar edhe disa futbollistë.
Përfaqësuesi kosovar kishte nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin nga Superliga turke në shtator të vitit të kaluar, por nuk ia doli t’i shfaqte vlerat e tij.
Zeneli i ka zhvilluar 13 ndeshje në fanellën e Adanas, prej tyre 12 në Superligë dhe një në Kupën e Turqisë me një total prej vetëm 400 minutash.
Që prej lëndimit të rëndë që e kishte pësuar derisa ishte pjesë e Reimsit, 28 vjeçari nuk ka arritur më kurrë të kthehej në kohërat e tij të lavdishme.
Mbetet të shihet nëse futbollisti ofanziv do të gjejë angazhim të ri në afatin kalimtar të janarit.