E enjte, 24 Tetor, 2024

Zyrtari i Skenderajt i akuzuar për korrupsion thotë se asnjëherë asnjë palë nuk i ka ofruar kurrfarë shpërblimi

Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të hënën, Kujtim Bekaj, i cili po ngarkohet se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Skenderajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare kur në 45 raste përmes dokumenteve të falsifikuara ka lëshuar certifikata të martesave të kosovarëve me shtetas të huaj, tha se asnjëherë asnjë palë nuk i ka ofruar kurrfarë shpërblimi.

“Mua asnjëherë, asnjë palë s’më ka ofruar kurrëfarë shpërblimi, pasi kemi kryer ceremoninë e martesës, ata kanë sjellë lëngje, të cilat ua kam çu kolegëve”, tha i akuzuari.

Fillimisht, gjykatësi i rastit Avni Mehmeti sqaroi se ka kërkuar verifikimin e hyrje-daljeve për 45 persona me shtetësi të huaj në territorin e Republikës së Kosovës, persona të cilët janë shënuar se kanë lidhur martesë në Komunën e Skenderajt.

Gjykatësi tha se këtë e ka bërë duke iu drejtuar Policisë së Kosovës dhe se të njëjtit janë përgjigjur përmes raportit me shkrim, nga i cili rezulton se këta 45 persona me shtetësi të huaj nuk kanë qenë asnjëherë në territorin e Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, seanca ka vazhduar me leximin e provave materiale të propozuara në aktakuzë, ku mbrojtësi i të akuzuarit Bekaj, avokati Sylejman Klinaku, kundërshtoi provën për verifikimin e hyrje-daljeve dhe propozoi që të bëhet evidentimi i hyrje-daljeve të regjistruara në pikën kufitare në Vërmicë.

Ndërsa, prokurorja Fetije Bajrami e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes, duke thënë se këto prova tashmë i kanë.

Më pas, gjykata refuzoi propozimin e avokatit Klinaku, me arsyetimin se verifikimi i hyrje-daljeve për këta persona është bërë nga databaza e Policisë dhe se pretendimi i mbrojtësit se në pikën kufitare në Vërmicë nuk regjistrohen të gjitha hyrje-daljet në Republikën e Kosovës, nuk mbështetet me ndonjë fakt.

Kurse, i akuzuari tha se punëtorëve në cilësi të dëshmitarëve nuk iu ka kërkuar asnjëherë letërnjoftimet, por vetëm i ka këshilluar që t’i gjejnë dëshmitarët pastaj ata vetë i kanë gjetur.

Ndërsa, prokurorja Bajrami e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në Prokurori, ku ndër të tjera i akuzuari kishte thënë se palët që kanë lidhur martesë kanë kërkuar ndihmë prej tij për t’i gjetur dëshmitarët dhe se ai i ka gjetur.

Për këtë, i akuzuari u përgjigj se ka kaluar kohë dhe nuk i kujtohet.

I akuzuari tha se komuna nuk kishte siguruar përkthyes edhe pse ai kishte bërë kërkesë dhe se nuk ka qenë kompetencë e tij që të sigurojë përkthyes, pasi në komunë kishte qenë vetëm një i tillë i gjuhës serbe-kroate.

Sipas tij, kanë punuar në kushte të vështira, kanë munguar zyrat përkatëse dhe të mjaftueshme, kanë munguar përkthyesit dhe ka pasur ngarkesë të punës në zyrën e Gjendjes Civile.

Më pas, në fjalën përfundimtare, prokurorja Bajrami deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, por kërkoi që vetëm akti martesor i lidhur më 4 shkurt 2013 të mos përfshihet në aktakuzë sepse për këtë veprim ka arritur parashkrimi absolut i ndjekes penale.

Ajo i propozoi gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin, të ketë parasysh rrethanat rënduese, se i pandehuri me dashje ka kryer veprat penale si në aktakuzë dhe se ka qenë në dijeni se është duke e shkelur rregulloren dhe ligjin mbi lidhjen e martesave, duke i nënshkruar dhe falsifikuar dokumentet zyrtare.

Prokurorja ka kërkuar që i akuzuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Kurse, avokati Klinaku fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë dhe shtoi se refuzimi i propozimit të tij për verifikimin e hyrje-daljeve në pikën kufitare në Vërmicë dhe për dëgjimin e dëshmitarit Flamur Gashi, do të bëjnë që të mos të zbardhet çështja.

“Gjykatës i propozoj hudhjen e aktakuzës dhe marrjen e aktgjykimit lirues për z. Kujtim Bekaj”, tha Klinaku.

Ndërkaq, i akuzuari Bekaj e mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij dhe shtoi se se sa i përket deshmitares Nexhmije Vojvoda, Prokuroria thotë se kjo dëshmitare nuk ka qenë prezente në lidhjen e martesave, ndërsa në deklaratë të saj thotë se ka qenë prezente në disa raste.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 30 janar 2020 ka ngritur aktakuzë kundër Kujtim Bekaj, i cili në pikën e parë të aktakuzës, ngarkohet se prej vitit 2014 deri në vitin 2017, në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile, në Komunën e Skenderajt, ka bërë lidhjen e martesave të personave kosovarë me persona me shtetësi të huaj, pa i plotësuar kushtet për lidhjen e martesës, duke mos qenë prezent personat për lidhjen e martesës, dëshmitarët, përkthyesi, pa u vertetuar identiteti i personave, dhe lidhjet e martesave i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile dhe ka lëshuar certifikata martesore, për 45 raste gjithsej.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Bekaj ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Kujtim Bekaj akuzohet se prej vitit 2014 e deri në vitin 2017, në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile pranë Komunës së Skenderajt, në dokumente zyrtare ka shënuar të dhëna të rreme për personat për të cilët ka përpiluar lidhje martesore, e më pas me nënshkrimin e tij dhe vulen zyrtare ka vërtetuar dokumentet zyrtare.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Bekaj ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer