E enjte, 24 Tetor, 2024

‘Zbutet papunësia’: Dosti i Besnik Bislimit te ‘Drini i Bardhë’, ish-këshilltari i Kurtit në BQK

Shoku i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, sot është emëruar anëtar në Bordin e Kompanisë Rajonale të Ujitjes ‘Drini i Bardhë’. Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Milot Cacaj, është emëruar zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka emëruar të mërkurën anëtarët e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë“.

Pjesë e këtij bordit është edhe Ilaz Halili, anëtar i bordit të KRU “Drini i Bardhë”. Halili ka qenë anëtar i bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje, deri në zgjedhjen e bordit të ri.

Ai është dosti i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, me të cilin kanë qenë një shkollë me të.

Insajderi së fundmi ka raportuar për avancimin e tij në Telekomin e Kosovës.

Halili është avancuar në pozitën e menaxherit Menaxher Departamenti – Sigurimi i te hyrave, ndonëse s’ka pasur pozitë të mëhershme menaxheriale.

Pjesë tjetër e bordit të KRU “Drini i Bardhë” janë si vijojnë: Arjeta Zeka – kryesuese, Shkodran Gaxherri – anëtar, Zamire Deçani-Beqiri – anëtare, Rina Sylafeta-Kumnova – anëtare dhe Besim Kajabegolli – anëtar

Ndërkohë, sot u bë e ditur se Milot Cakaj është emëruar zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës.

Pasi kishte ardhur në pushtet, kryeministri Albin Kurti e kishte angazhuar Cakajn në kabinetin e tij, duke e emëruar si këshilltar politik më 20 mars të vitit 2020.

BQK-ja njoftoi sot se pas një mbledhjeje, Cakaj u emërua si zëvendës i guvernatorit, së bashku me Neserin Shilekun. Ata, siç njoftoi BQK, “do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme”.

BQK tha se “përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit”.

Me përfundimin e këtij procesi, BQK tha se tashmë janë plotësuar të gjitha strukturat vendimmarrëse të BQK-së të përcaktuara në Ligjin e BQK-së dhe Strukturën Organizative.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer