Mitrovicë – Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, Marigona Lajqi, të merkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është shtyrë seanca, në rastin ku i pandehuri, Haxhimet Ferati në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës, po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.
Lidhur me mungesën e saj, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri njoftoi se kishte komunikuar përmes telefonit me kryetarin e gjykatës, i cili e ka njoftuar se gjyqtarja në fjalë ka marrë pushim vjetor për disa ditë dhe nuk ndodhet në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kujtojmë se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Marigona Lajqi ka qenë e pranishme në seancën e datës 16 janar 2024, kur është caktuar data për mbajtjen e seancës së sotme.
Ndërkaq, prezent në këtë seancë ishin prokurori Sahit Tmava, i akuzuari Haxhimet Ferati me mbrojtësin e tij, avokatin Armend Shkoza.
Po ashtu, e pranishme ishte edhe dëshmitarja Florije Salihu e cila pritej të dëgjohej sot.
Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë ndërsa e radhës është caktuar më 1 mars 2024.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më datën 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin. Detajet tjera nga aktakuza, i gjeni KËTU./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prere