E shtunë, 26 Tetor, 2024

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit që kishte goditur dhe ia kishte marrë armën zyrtares policore

Në mungesë të prokurorit Armend Hamiti, të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar gjykimi ndaj Vojsllav Zdrakovic, i cili po akuzohet se kishte goditur dhe marrë armën zyrtares policore Valdete Idrizaj.

Lidhur me shtyrjen e kësaj seance për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur gjykatësi i rastit Alban Ajvazi, i cili tha se me kërkesë të prokurori Hamiti është shtyrë gjykimi pasi që i njëjti gjendet në udhëtim zyrtar jashtë shtetit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 4 mars të 2019-tës, i pandehuri Vojisllav Zdravkovic me datë 25 nëntor të 2016-tës rreth orës 16:25, në lagjen Dardania, duke përdorur forcë e ka përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme duke iu afruar nga mbrapa tani të dëmtuarës Valdete Idrizi, police e Kosovës, duke e goditur disa herë me shuplaka dhe me përdorim të forcës, nga brezi ia ka marrë armën zyrtare “Glock”, me këllëf, karikator dhe 15 fishekë të kësaj arme. Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “grabitje” nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së.

Pastaj, sipas aktakuzës, i pandehuri me armën që e kishte grabitur nga e dëmtuara, është larguar tre hapa nga ajo, ia ka drejtuar armën në drejtim të të dëmtuarës duke e kanosur seriozisht se do ta përdor armën “Glock”. Kështu, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi i 2-të të KPRK-së

Kurse gjatë muajit nëntor-dhjetor të 2016 në Prishtinë, i pandehuri Vojisllav Zdravkovic, duke shkelur ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse, armën e grabitur “Glock” ia shet personit të quajtur Gani në vlerë prej një mijë euro. Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve” nga neni 372 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu me datë 7 janar të 2017-tës, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë-Kosovë, me rastin e arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës, i pandehuri Zdravkovic në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla ka pasur në posedim armën “boks i hekrit”, Edhe për këtë rast akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 pargrafi 1 të KPRK-së.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer