E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Fair play financiar vë “me shpatulla pas murit” Chelsea, Armando Broja mund të sakrifikohet

Chelsea ka vendosur për katër lojtarët që dëshiron të shesë këtë verë, në përpjekje për të shmangur problemet me “fair-play”-n financiar në Premier Ligë dhe mes emrave është edhe ai i sulmuesit shqiptar Armando Broja.

Blutë e Londrës kanë shpenzuar mbi 1 miliardë euro për transferime që kur Tod Bohli dhe Behdad Egbali morën “frenat” e klubit nga Roman Abramoviç në vitin 2022, por investimet e bëra nuk kanë qenë të suksesshme në fushë.
Të besuarit e Mauricio Poçetinos momentalisht renditen në vendin e 11-ë në kampionat dhe me shumë mundësi nuk do të arrijnë në kompeticionet europiane për sezonin e dytë radhazi.

Sipas “The Telegraph”, zërat janë rritur në rrethin e rivalëve të Chelseat, se klubi duhet të përfitojë një fond me vlerë 100 milionë euro deri në fund të qershorit të këtij vitit, për të shmangur thyerjen e rregullave financiare të Premier Ligës.

Këtë vit Chelsea ka përfituar mbi 100 milionë euro nga shitjet e disa lojtarëve si Maunt, Pulisiç dhe Ampadu, e sidoqoftë ata kanë shpenzuar mbi 448 milionë euro, duke lënë një deficit të madh.

Sipas burimeve të kësaj medie, klubi do të kërkojë mundësi për të larguar Trevoh Çalobah e Armando Brojën, por gjithashtu mund të lejojë largimin e Konor Galager dhe Mark Kukurela.

Një detyrim për të mbledhur para shpejt, mund të sjellë edhe shitjen e mundshme të sulmuesit të Kombëtares shqiptare drejt një klubi tjetër të Premier Ligës, ku që në janar shumë prej tyre e kanë kërkuar me ngulm Brojën.

Sulmuesi është huazuar deri në fund të sezonit te Fullham, por edhe aty nuk po arrin të luajë titullar, pasi zëvendësuesi i Raul Himenesit të dëmtuar, Rodrigo Munis, po shkëlqen duke shënuar gola, çka ka detyruar Brojën që të presë momentin e tij, kjo e konfirmuar edhe nga trajneri Silva që ia ka komunikuar sulmuesit si privatisht, por edhe publikisht në një prej konferencave të shtypit.

Ndeshjet ikin dhe e rëndësishme për Armandon është minutazhi, duke qenë se Europiani është përpara dhe duhet të bindë Silvinjon që ta përfshijë në listën përfundimtare me 23 lojtarë

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer