Javën e kaluar, organizata Demokraci Plus (D+), ka kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë që të ndërpres aktivitetin e prokurimit për shërbime konsulentë. Sipas kësaj organizate ai është në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e Prokurimit Publik dhe kontraktimi përmes këtij aktiviteti paraqet keqmenaxhim të parasë publike, shkruan portali rajoni.org.
“Komuna e Vushtrrisë në mars të vitit 2024 ka iniciuar tender për kontraktimin e 40 konsulentëve përmes tenderit me numër të prokurimit VU644-24-1704-2-1-1, me vlerë të parashikuar prej 591,841.60 euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Rregulloren nr.001/2022 për Prokurimin Publik. Rregullorja, më saktësisht neni 57.2, parasheh që konsulentët përmes procedurave të prokurimit mund të kontraktohen vetëm për ato shërbime që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, pra për shërbime/pozita që nuk janë të rregullta”, thuhet në reagim.
Sipas Demokraci Plus, Komuna e Vushtrrisë, planifikon të kontraktojë konsulentët, në të gjitha lotet, për pozita të rregullta në drejtori të ndryshme si: të Kulturës, Prokurimit, Legalizimit, Arsimit, Planifikimit hapësinor e Bujqësisë.
“Punët për të cilat pritet të angazhohen janë punë të zakonshme administrative të cilat janë detyrë dhe përgjegjësi e zyrtarëve të punësuar me procedura të rregullta të rekrutimit. Këto punë përfshijnë: koordinim i punëve të Ansamblit të Vushtrrisë, organizimin e aktiviteteve kulturore, planifikim të prokurimit, asistim të anëtarëve të komisioneve vlerësuese, përpilim të raporteve mjekësore dhe kryerja e ekzaminimeve, bashkëpunim me komunitete, të ndihmojnë në hartim të dokumenteve, të kryejnë analiza laboratorike, të shqyrtojnë kushte e leje ndërtimore, të shqyrtojnë kërkesat për leje të legalizimit, etj.”, thuhet në reagim.
Portali rajoni.org i ka dërguar pyetje në emailin zyrtar të Komunës së Vushtrrisë lidhur me këtë reagim të organizatës Demokraci Plus.
Drejtori i Prokurimit, Ilmi Azemi ka thënë së aktivitet i i njëjti prokurimit nuk do të anulohet.
“Ne, mirëpresim këshillat, rekomandimet dhe bashkëpunimin reciprok, mirëpo ne përmes kësaj shkrese Ju njoftojmë pasi që keni adresuar emajl lidhur me Kontratat per Shërbime te Veçanta -Konsultën Individuale duke aluduar në kërkesën e Demokraci Plus (D+), se AP lidhur me Kontratat per Shërbime te Veçanta -Konsultën Individuale vazhdon proceduren e prokurimit dhe shpresojm me sukses të përmbyllet ky proces”.
Ai, tutje ka thënë së ky aktivitet i prokurimit është konform nevojave të paracaktuara nga NJK e duke respektuar bazën dhe dispozitat ligjore.
“Lidhur me konstatimin se bazuar në përshkrimin e titullit i cili synohet të angazhohet Konsulent ne lëmit e ndryshme, në fusha të ndryshme sqarojm se AK pasi ka deshtu disa her radhazi në plotësimin e vendeve të punës sipas ligjit mbi rekrutimin civil dhe ka mungesa të jashtëzakonshme për marrjen e shërbimeve të iniciuara me këtë AP konstatojm dhe theksojm se aktiviteti i prokurimit është në pajtim të plotë me nenin 57 të rregullores Nr.001/2022 për Prokurim Publik e datës: 01.11.2022”, thuhet në përgjigjjen e Azemit.