Tre deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa, shpëtuan pa u dënuar për rrahjen në Kuvend të ndodhur në një seancë të Kuvendit, muaj më parë.
Kjo pasi që në seancën e sotme gjyqësore, u dakorduan për të ndërmjetësuar me palën tjetër që vinin nga Lëvizja Vetëvendosje, Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati, që lënda të vazhdojë në procedurë të ndërmjetësimit.
Kalimi i lëndës në procedurë të ndërmjetësimit i shpëton nga dënimi dhe rrjedhimisht ua mundëson që të marrin pjesë sërish në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo pasi që sipas legjislacionit në fuqi, për cfarëdo vepre penale në rast së një person dënohet, atëherë tri vitet e ardhshme nuk do të mund të garojnë në zgjedhje cfaredo qofshin ato.
Një rast të tillë e kishte pasur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje, për shkak që ishte i dënuar kohë më parë.
Bashkë me Kurtin, në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk u lejuan të kandidojnë edhe kandidatë të tjerë nga parti të ndryshme politike.
Këtë vendim e kishte marrur Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në arsyetimin e atëkohshëm të KQZ-së, bëhej e ditur arsyeja pse nuk u lejua kandidimi i tyre.
“ Ata janë verifikuar nga Këshilli Gjyqësor, se janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”, kishte thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Në rast se ndonjëri nga të akuzuarit për rrahjen 13 qershorit të vitit të kaluar do të dënohej në seancën e sotme, atëherë atyre do ua pamundësojë që të jenë pjesë e garës në zgjedhjet e ardhshme.
Derisa, kohët e fundit është parë një përafrim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo edhe me takimin e fundit mes dy kryetarëve të dy partive dhe kërkesave të tyre për mënyrën dhe kohën kur do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Përafrimi mes këtyre dy partive ka ngjallur edhe reagime nga LDK dhe AAK.
Këto dy parti, po kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurtit e jo shpërndarje të Kuvendit.