E premte, 1 Nëntor, 2024

Rritja e nacionalizmit hindu i lë myslimanët të frikësuar në qytetin e shenjtë të Indisë

Varanasi, një qytet i lashtë i tempujve dhe perëndive, është kryeqyteti shpirtëror i Indisë. Është gjithashtu bastioni politik i kryeministrit Narendra Modi dhe ku tensionet mes dy besimeve po përshkallëzohen.

Kur Modi zgjodhi këtë qytet të shenjtë si zonën e tij elektorale një dekadë më parë, ishte mjedisi i përsosur për të për t’i bashkuar ambiciet politike dhe fetare të partisë së tij. Pasi u ngrit në pushtet me një premtim zhvillimi dhe anti-korrupsioni, Partia e tij Bharatiya Janata tani akuzohet se e ka kthyer Indinë – një komb i lidhur me kushtetutë ndaj sekularizmit – në një rashtra ose atdhe hindu.

Duke konkurruar për një mandat të rrallë të tretë në pushtet, ai po e mbron vendin e tij në qytetin e bllokuar nga trafiku, me rreth 1.7 milionë banorë. Megjithatë, 10 vjet pas ngjitjes së tij në majë, shumë nga muslimanët e Varanasit ndihen të lënë pas dore, madje edhe të tradhtuar, raporton CNN.

Udhëheqësi lokal mysliman Syed Mohammad Yaseen, 78 vjeç, mendon se qeveria po dështon ta mbrojë komunitetin e tij, për të cilin ai thotë se po ndihet gjithnjë e më i prekshëm dhe i frikësuar nga krimet e urrejtjes në Indinë e sotme.

“Më e keqja do të ndodhë (nëse Modi rizgjidhet)”, tha ai. “Ne po i tolerojmë këto gjëra, ndoshta një ditë mund të ketë ndryshim. Por ne jemi të pashpresë”.

Partia e Modit i ka rrënjët në Rashtriya Swayamsevak Sangh, një organizatë paraushtarake e krahut të djathtë që mbron supremacinë hindu brenda Indisë – megjithëse partia ka thënë vazhdimisht se nuk i diskriminon minoritetet.

Në dekadën e Modit në pushtet, polarizimi fetar është rritur.

Nacionalistët hindu janë emëruar në poste të larta në institucionet kryesore qeveritare, duke u dhënë atyre fuqinë për të bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në legjislacion që grupet e të drejtave thonë se në mënyrë të padrejtë synojnë muslimanët. Tekstet shkollore janë rishkruar për të minimizuar historinë e sundimtarëve të lashtë islamikë të Indisë, qytete dhe rrugë me emra të epokës Mughal janë riemërtuar dhe pronat myslimane janë shkatërruar.

Në vitin 2019, administrata e Modit miratoi një ligj të diskutueshëm mbi shtetësinë që i përjashton emigrantët myslimanë, duke shkaktuar trazira vdekjeprurëse.

Organizata të shumta të të drejtave të njeriut, duke përfshirë Human Rights Watch, Amnesty International dhe Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, kanë paralajmëruar për diskriminim të vazhdueshëm kundër pakicave fetare, veçanërisht myslimanëve, gjatë dekadës së fundit, dhe u kanë bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve që t’i japin fund atij.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer