Monday, June 23, 2025

Kosova kërkon rezultat pozitiv ndaj Norvegjisë sonte

Kombëtarja e Kosovës është e gatshme për sfidën e sontme me Norvegjinë.

Dy Kombëtaret do të përballen mes vete nga ora 19:00 në stadiumin “Ullevaal” në Oslo.

Ky është testi i fundit për Dardanët para ndeshjeve zyrtare të Ligës së Kombeve, që do të nisin në shtator, e ku janë në grup me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë, shkruan “Gazeta Express”.

Kosova nën drejtimin e Franco Fodës ka treguar shenja të mira në miqësoret e zhvilluara në mars kundër Armenisë dhe Hungarisë dhe tani synon që ta dëshmojë potencialin e saj edhe përballë norvegjezëve, të cilët në radhët e veta kanë yje si Erling Haaland dhe Martin Odegaard.

Në konferencën për media para kësaj ndeshje, përzgjedhësi Foda theksoi se gjatë këtyre gjatë ditëve të grumbullimit kanë punuar mjaft mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të treguar paraqitje të mirë.

“Kemi pasur përgatitje të mira në Prishtinë gjatë ditëve të këtij grumbullimi. Të gjithë futbollistët janë mirë dhe të gatshëm. Kemi pasur disa gjëra të mira që mund t’i marrim me veta nga ndeshja kundër Armenisë dhe Hungarisë. Fatkeqësisht disa lojtarë janë të lënduar na mungojnë, si Rashica dhe Muslija, por kemi shfrytëzuar këtë kohë stërvitjet në Prishtinë që lojtarët t’i kuptojnë sa më mirë parimet tona të lojës. Duam të luajmë me top dhe sa më dinamikë. Duam të provojmë sërish me presing të lartë dhe ta fitojmë topin sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Foda.

Ai tutje ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që në këtë ndeshje të funksionojë si ekip, në mënyrë që të përballet me sukses kundër një ekipi që në radhët e veta ka futbollistë shumë cilësor si Haaland e Odegaard.

“Natyrisht se duam të fitojmë ndeshjen nesër, por për mua është e rëndësishme se si luajmë dhe si do ta zbatojmë në lojë atë që kemi bërë në stërvitje”, ka shtuar ai.

Në ndeshjen e sontme pritet që Dardanët të kenë mbështetje të madhe nga bashkatdhetarët që jetojnë në shtetet skandinave.

Të fundit

Shpallje

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer