E premte, 1 Nëntor, 2024

Hetuesit të afërt me ministrin Peci, i punësohet gruaja në Ministrinë e Bujqësisë

Punësimi i familjarëve, miqve e të afërmeve të tjerë, ndër vite është kritikuar nga pushteti aktual. Thënia e famshme “miqtë e familjarët janë për dasma”, edhe sot jehonë në veshin e shumicës së votuesve të Kosovës.

Nëpër shumicën e institucioneve e ndërmarrjeve, Nacionale po raporton në vazhdimësi për rehatimin e zyrtarëve të afërt me partinë në pushtet. Megjithatë, kohëve të fundit situata ka kaluar një nivel më lartë.

Në Agjencinë Pyjore të Kosovës që është në kuadrin e Ministrisë së Bujqësisë, ishte punësuar Shqipe Krasniqi-Kllokoqi. Kjo e fundit ishte ‘rehatuar’ në pozitën e Zyrtares për Buxhet dhe Financave.

Shpallja e rezultateve ishte bërë në muaji shkurt të këtij viti, ku kjo kandidate kishte marrë 83 pikë në total. Dukshëm më e vlerësuara se të gjithë të tjerët. Nacionale ka siguruar edhe listën me pikët e caktuara.

Sigurisht që emri i kësaj kandidateje në shikim të parë nuk thotë asgjë. Por, burimet të afërta me këto zhvillime kanë bërë të ditur se Shqipe Krasniqi-Kllokoqi është bashkëshortja e hetuesit të Policisë, Pajtim Kllokoqi.

Pajtim Kllokoqi është hetues në Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve, Kllokoqi në mesin e shumë rasteve që ka trajtuar, ka hetuar edhe raste në të kaluarën që janë ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.

Çuditërisht ose jo, bashkëshortja e tij punësohet në Agjencinë Pyjore të Kosovës në një pozicion të rëndësishëm.

Megjithatë, këtu nuk marrin fund dyshimet. Sipas informacioneve që ka siguruar Nacionale nga burimet e veta, hetuesi Pajtim Kllokoqi ka afërsi direkte me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Këtë e kanë konfirmuar 3 burime të ndryshme, të cilat nuk kanë dashur të identifikohen.

“Është e vërtetë që janë të afërt me ministrin. Kanë afërsi”, tha një burim në kushte anonimiteti.

Nacionale ka tentuar të sigurojë fotografi apo dëshmi të tjera që e dëshmojnë këtë, dhe ka arritur të sigurojë një urim në facebook për ditëlindje që hetuesi Kllokoqi ia ka bërë Pecit. E ky i fundit më pas, ia ka bërë ‘like’ urimin. Sigurisht që ministri nuk ua pëlqen urimet të gjithëve, në mungesë të kohës…

Për t’i konfirmuar të gjitha këto dyshime, janë dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Bujqësisë edhe në Policinë e Kosovës. Pavarësisht pritjes 2-ditore, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Nacionale nuk ka pranuar përgjigje.

Nacionale kohë më parë kishte raportuar për rehatimin e hetuesve të afërt me pushtetin, dhe largimin e të tjerëve që vlerësohen si opozitë në Njësinë e Veçantë Hetimore. Kjo duket se ka vazhduar edhe në Njësinë Kundër Korrupsionit.

Pajtim Kllokoqi, rastësisht ose jo, kishte qenë duke hetuar edhe dyshimet për korrupsion në rregullimin e varrit të veprimtarit Adem Demaçi. Televizioni Kanal10 kishte raportuar kohë më parë, se si Policia e Kosovës kishte nisur hetime rreth dyshimeve për shkelje të procedurave për disa pagesa lidhur me tenderin për rregullimin e varrit të Demaçit. Kjo duke tentuar të gjejnë shkelje në tenderin e Presidencës, që në atë kohë e drejtonte Hashim Thaçi.

Këtë rast e kishte hetuar Pajtim Kllokoqi, dhe kjo dëshmohet në dokumentet që kishte publikuar Kanal10 në atë kohë, dhe dokumentit që e ka siguruar Nacionale sot, e ku shihet nënshkrimi i njëjtë.

Ky rast ishte mbyllur më pas, pasi ishte vërejtur se pagesat nuk ishin autorizuar nga Presidenca, dhe Kanal10 kishte raportuar se nuk ishte arritur në asnjë mënyrë të gjendet ndonjë ndërlidhje me presidentin Thaçi.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer