E premte, 1 Nëntor, 2024

Kompania e shpërblyer me afro 8 milionë euro tender për Kompleksin në Prekaz u favorizua kundërligjshëm edhe për Operën

Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk po i ndalen skandalet me tenderë. Pasi dha gati 8 milionë euro për konsorciumin e me operatorë ekonomikë të huaj për “Zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ani pse vlera e paraparë ishte 3 milionë euro, siç ka mësuar ekskluzivisht Nacionale, del se kompania që iu dha tenderi për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” ishte favorizuar kundërligjshëm në tenderin 2,5-milionësh për projektin ideor për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.

Ministria e Kulturës, e udhëhequr nga ministri Hajrulla Çeku, siç raportoi Nacionale të mërkurën, e ka shpërblyer me tenderë grupin e operatorëve ekonomikë, “Gerber Architekten International GmbH”, “Donald Insall Associates” dhe “Barker Langham”.

Ky tender u dha për 7 milionë e 890 mijë euro, edhe pse vlera e parashikuar e tenderit ishte veç tre milionë, çka ngriti dyshime për dallavere dhe favorizim të këtyre kompanive.

Ndërkohë, Nacionale ekskluzivisht ka mësuar se kompania me seli në Dortmund të Gjermanisë, “Gerber Architekten International GmbH”, ishte favorizuar nga MKRS-ja për tenderin me vlerë të 2,5 milionë eurove për projektin ideor për ndërtimin e Operës dhe Baletit.

Kjo kompani ishte favorizuar kundërligjshëm nga MKRS-ja e Hajrulla Çekut dhe kishte çuar në anulimin në tërësi të këtij tenderi.

Si u favorizua?

Në tetor të vitit 2022, MKRS-ja kishte hapur tender për projektin ideor për ndërtimin e Operës dhe Baletit.

Siç raportonte Buletini Ekonomik, më 11 gusht të vitit 2022, kompania gjermane, “Gerber Architekten”, e kishte fituar tenderin, edhe pse ajo i kishte shkelur rregullat kryesore të tenderit, duke e zbuluar emrin e kompanisë në ofertë dhe dorëzimin e ofertës pa zarf të mbyllur.

Ky veprim i kompanisë kishte qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Tenderi kishte përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik pas ankesave të kompanive të tjera, të cilat kishin ofertuar për projektin ideor për ndërtimin e Operës dhe Baletit.

OShP-ja, në arsyetimin e vendimit për anulimin e tenderit, kishte përmendrur disa shkelje ligjore.

Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842 ka shkelur nenin 80 të Ligjit për ‘Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës. Po ashtu të njëjtën shkelje kanë bërë edhe dy operatorët tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, përkatësisht Operatori Ekonomik me shifrën 0703 dhe ai me shifrën 2008, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptoj qartë se kujt i përket Projekti Ideor” – thuhet në vendim.

MKRS-ja nuk e kishte komentuar këtë vendim, por pas një kohe e kishte hapur përsëri këtë tender.

Dallaveret me kompleksin “Adem Jashari”

Ministria e Kulturës, Rinës dhe Sportit ka shpërblyer me kontratë me vlerë gati 8 milionë euro një konsorciumin me operatorë ekonomikë të huaj për “Zhvillimin e master-planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në Komunën e Skënderajt, në Republikën e Kosovës”. Ndërkohë, vlera e parashikuar për këtë tender ishte 3 milionë euro e tenderi është dhënë për gati 8 milionë euro.

Ministria e Kulturës, e udhëhequr nga ministri Hajrulla Çeku, e ka shpërblyer me kontratë grupin e operatorëve ekonomikë me çmimin më të lartë në krahasim me vlerën e parashikuar të kontratës.

Nga 3 milionë euro, sa ishte paraparë, zhvillimi i master planit tani do të kushtojë 7 milionë e 890 mijë euro.

Tri kompani kanë aplikuar për këtë tender, por tenderi është fituar nga disa kompani të huaja.

MKRS-ja ka shpërblyer me tender konsorciumin e kompanive të përbëra nga: “Gerber Architekten International GmbH”, “Donald Insall Associates” dhe “Barker Langham”.

Kliko KËTU për më shumë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer