Një mosmarrëveshje në mes të disa familjarëve në fshatin Krajkovë të Drenasit eskaloi të dielën pasdite në përleshje brutale. Tre persona në njërën anë janë rrahur me një tjetër, të gjithë nga familja Buzaku.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë Rizah Buzaku (75) me dy djemtë e tij, Ibrahimin (42) dhe Faikun (44), si dhe i dyshuari me të cilin u rrahën, Tahir Buzaku (49).
Si pasojë e përleshjes, lëndime trupore kanë marrë të gjithë të dyshuarit, si dhe bashkëshortja e të dyshuarit Tahir Buzaku, e cila ka tentuar t’i ndalojë të dyshuarit
Sinjali mëson se Policia ka sekuestruar një armë zjarri, shkop druri e disa fishekë dhe po ashtu janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, ku po ashtu është gjetur edhe një armë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.