Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Drenas.
Në rrjete sociale dhe në media sot më 11.06.2024 ka qarkulluar një video, ku shihet një polic duke shqelmuar një person të shtrirë në tokë, i cili sipas raportimeve është i mitur dhe i arrestuar nga policët e tjerë që po ashtu shihen në video.
“Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 10.06.2024 në Drenas rreth orës 20:00 në një ndeshje në palestrën sportive ku pas përfundimit të saj zyrtarët policor kishin arrestuar një të dyshuar” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati thotë se për rastin është njoftuar përmes thirrjes telefonike nga një qytetar.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë në Drenas” – thuhet më tej.
IPK thotë se pas disa veprimeve hetimore dhe në konsultim me prokurorinë, hetuesit e Inspektoratit kanë rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë.
LEXO EDHE:
Skandaloze: Policia e Drenasit ushtron dhunë ndaj të miturit pasi e prangos atë (VIDEO)