Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese një draft për Asociacionin që s’ka “as nënshkrim as pronësi”.
Ai e bëri këtë deklaratë derisa po komentonte kushtin e vendosur nga disa vende anëtare të Këshillit të Europës që kërkesa për anëtarësim e Kosovës të jetë e suksesshme, raporton Gazeta Express.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat që Këshilli i Europës i ka kërkuar nga Kosova dhe Asambleja Parlamentare ka thënë se Kosova e meriton të jetë anëtare e plotë sepse i plotëson të gjitha kriteret. Pastaj ka pasë të tjera që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Europian dhe të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare siç është kërkesa për dërgimin e draftit – një draft që faktikisht nuk përbën as draft as dokument dhe as nuk ka nënshkrim apo pronësi – deri në muajin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë se ‘ky është draft i joni’. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione ose drafte që nuk kanë as autorësi as pronësi në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Bislimi tha se kjo nuk e bllokon rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së.
“Por, dialogu është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që është dakorduar nga qeveritë paraprake në momentin që është dakorduar kjo marrëveshje. Rrjedhimisht, ai do të jetë pjesë e vlerësimit tonë, por nuk është diçka që e bllokon integrimin. Sikur ne të kishim hapur kapitujt dhe pastaj do të thuhet se kapitulli nuk po mund të mbyllet se është ende tema e dialogut”.