E premte, 1 Nëntor, 2024

DOKUMENT | KGJK-ja lidhi kontratë me kompaninë që ofertoi 1 euro për ndërtimin e një lifti dhe blerjen e 15 dyerv

Për ministritë e qeverisë Kurti, gjetjet e Auditorit Gjeneral po janë shumë të ‘buta’. Ndërsa, më të ashpra për institucionet e tjera. Megjithëkëtë, disa nga shkeljet që po i gjen Zyra Kombëtare e Auditimit për institucionet publike janë alarmante, sidomos tek tenderët, shkruan Demokracia.com.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit edhe për pasqyrat finaciare 2023 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në kontratën e lidhur nga ky institucion për “Renovimi i objektit të Gjykatës Themelore Mitrovicë Jug” në vlerë 1,274,867 euro me një kompani private, çmimet e vendosura në kontratë kanë qenë mashtruese.

Auditori ka gjetur se kompania fituese kishte ofertuar me çmim vetëm prej 1 euro për këto pozicione – artikuj: dy lifta/ashensorë, 15 dyer të qëndrueshme ndaj zjarrit me akses kontroll, një  derë të trezorit zjarr-qëndrueshme, 121 dyer të aluminit me dimensione të ndryshme, 41 dritare alumini me dimensione të ndryshme, një pompë automatike për largimin e ujit, tavolinë me konstruksion inoksi dhe knauf ujë rezistent dhe renovimin e shkallëve emergjente metalike.

Ndërsa, në procedurën “Furnizim me inventar për salla të gjykimeve dhe zyra të shkrimoreve për gjykata dhe SKGJK”, në vlerë indikative 2,790 euro ishte vlerë totale 500,000€, OE fitues kishte ofertuar me çmime jo normalisht të ulët në dy pozicione, si: tavolina për takime për 22 persona, me çmim prej 40 euro/copë dhe tavolina për takime për 8 persona, me çmim prej 35 euro/copë.

“Sipas neni 61, të Ligjit të Prokurimit Publik, për tenderët jo normalisht të ulët, nëse një operator ekonomik e dorëzon një tender që, është ose duket të jetë jo normalisht i ulët, autoriteti kontraktues do të dërgojë një kërkesë me shkrim tenderuesit ku kërkohet nga tenderuesi që të dorëzojë me shkrim: (i) një ndarje të elementeve përbërëse të tenderit dhe (i) shpjegime në lidhje me bazën e tenderit, sipas paragrafit 2. të këtij neni. Më tutje sipas 41.9 të Rregullores 001/2022 për Prokurim Publik, në rast se një tender duket të jetë jo normalisht i ulët, Autoriteti kontraktues duhet të merr në konsideratë elementet e tenderit përfshirë elementet e nën-totaleve për paga si dhe kompensimet, materialet, kostot fikse dhe profitet. Po ashtu neni 41.6 parasheh se në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit ku aplikohet çmimi i peshuar për njësi) duket të jetë jo normalisht i ulët, AK lutet të kërkojë me shkrim nga operatori ekonomik, i cili ka dorëzuar tenderin ose pozicionin e tenderit që duket të jetë jo-normalisht i ulët, një deklaratë me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevante të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ulët, duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”. Ne kemi identifikuar se në dy raste, KGjK kishte shpërblyer me kontratë OE të cilët kishin ofertuar me çmime jo normalisht të ulët. Kjo ishte bërë në mungesë të një deklarate me shkrim, e cila përfshinë një shpjegim për çmimin e ultë sipas formularit standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”, siç kërkohet me rregullat e prokurimit në këto raste”, thuhet në raportin e auditorit, përcjell Demokracia.com.

Sipas auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në procesin e vlerësimit të tenderëve, pasi që ofertat janë vlerësuar si total dhe jo për nëntotale apo pozicione.

“Çmimi jo normalisht i ulët për pozicione të caktuara, mund të ketë qenë përcaktues në shpërblim për kontratë, duke ndikuar në eliminimin nga konkurrenca të operatorëve ekonomik që kanë ofruar me çmime tregu”, thuhet tutje në raport.

ZKA i ka dhënë disa rekomandime Këshillit Gjyqësor të Kosovës. /Demokracia.com/

Të fundit

Shpallje e pavlefshme

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer