Vitin që lam pas Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka tejkaluar afatet ligjore për 85 raste për rimbursim të tatimpaguesve. Po ashtu ATK nuk ka treguar efikasitet në mbledhjen e borxheve të vjetra (borxhet e pa mbledhëshme), vlera e tyre në fund të vitit 2023 kishte arritur në 136,462,995 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 115,472,121 euro, raporton Indeksonline.
Nga testimet dhe analiza e bazës së kthimeve/rimbursimeve, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZAK) i ka identifikuar 85 raste ku ATK nuk i kishte shqyrtuar kërkesat e tatim paguesve për kthim/rimbursim tatimor brenda afatit ligjor. Këto vonesa ishin nga 2 deri në 344 ditë kalendarike përtej afatit ligjor.
Për këto shkelje ligjore ZAK)-jaka vlerësuar se për këto vonesa, ATK nuk kishte aplikuar pagesën e interesit ndaj tatim paguesve e po ashtu menaxhimi nga ATK për këtë çështje nuk ka qenë efektiv, ndonëse ATK pohon se ka mungesë të kapaciteteve në staf, megjithatë, nuk është vërejtur se ka pasur ndonjë veprim konkret rreth kësaj çështje përkundër faktit që kjo çështje është përsëritur.
“Ndikimi Vonesat në kthime/rimbursime tatimore, ju shkaktojnë bizneseve vështirësi financiare në ushtrimin e aktiviteteve të tyre operative dhe në anën tjetër rrisin rrezikun e padive të tatim paguesve ndaj ATK-së si pasojë e mos pagesës së interest”, thuhet në raport.
Për këtë dukuri ZAK-ja I ka rekomanduar ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve se duhet të sigurojë përmes drejtorit të ATK-së menaxhim efikas në procesin e shqyrtimit të kërkesave për kthime/rimbursime, në mënyrë që të shqyrtohen brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Po ashtu,ka rekomanduar që të analizoj shkaqet që kanë shkaktuar ngecjen, përfshirë kapacitetet aktuale, dhe të shtojë fokusin në trajtimin e kërkesave, kjo edhe për faktin që me ligjin e ri të ATKsë afati për shqyrtim është ulur në 30 ditë dhe çdo vonesë do të ketë kosto më të lartë të interesit në rastet e rimbursimeve.
Gjetje tjetër për ATK-në nga ZKA-ja janë evidentuar edhe tek menaxhimi i llogarive të arkëtueshme/ borxheve të vjetra.
ATK për vitin 2023 në planin e punës të rishikuar kishte përcaktuar që të inkasohen borxhet në vlerë 212,756,609 euro. Po ashtu, në planin punës ishte paraparë ndërmarrja e iniciativave për të pastruar stokun e borxhit nga të gjitha borxhet e pa mbledhshme.
ATK kishte bërë progres në mbledhjen e llogarive të arkëtueshme (borxheve të reja). Në vitin 2023 ishin mbledhur llogari të arkëtueshme në vlerë prej 193,848,973€ apo 91% nga ajo që ishte planifikuar me rishikim të planit për vitin 2023.
Për nga vlera e mbledhur kishte një rritje prej 25% krahasuar me vitin paraprak pasi që në vitin 2022 ishin mbledhur 155,273,103 euro.
Megjithatë, gjatë vitit 2023 sipas auditorit, ATK nuk ka treguar efikasitet në mbledhjen e borxheve të vjetra (borxhet e pa mbledhëshme), vlera e tyre në fund të vitit 2023 kishte arritur në 136,462,995 euro, krahasuar me vitin 2022 që ishte 115,472,121 euro.
“Rritja vjen nga aplikimi i ndëshkimeve dhe interesit që aplikohen në sistem. Rritja e stokut të borxhit të vjetër është një sfidë e vazhdueshme e cila është kryesisht e ndikuar nga pushimi i aktivitetit të operimit të bizneseve.
Ndikimi Niveli i ulët i arkëtimit të borxheve të vjetra rritë stokun e borxheve të akumuluara, të cilat me kalimin e kohës shndërrohen në borxhe të pambledhëshme”, thuhet në raport./Indeksonline/