Nesër në Beograd, nis festivali “Mirëdita, dobar dan!”, që prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës. Ende pa filluar festivali, ministrja serbe, Milica Gjurdeviq Stamenkovski, ka dalë kundër këtij festivali, derisa ka sulmuar edhe një nga të ftuarit, shkrimtarin kosovar Azem Deliu, i cili sipas saj ka madhëruar figurën e Adem Jasharit.
Deklarata e ministres serbe nuk e ka çuditur aspak Deliun. Në një deklaratë për Gazetën Express, Deliu ka konfirmuar se tashmë ndodhet në Beograd, derisa ka shtuar se këto çytje janë të pafuqishme për ta shqetësuar.
“Asgjë e çuditshme. Krejt kjo është brenda logjikës së Millosheviçit nga e cila Serbia s’po mundet, e mesa duket as s’po dëshiron të lirohet. Fizikisht tashmë jam këtu, por këto cytje janë krejt të pafuqishme për të më shqetësuar. Është thjeshtë për t’u injoruar. S’kam as frikë as respekt për qeverinë e Vuçiçit dhe çakallët e tij.”, ka deklaruar Deliu.
Ministrja 33-vjecare, e instruktuar nga pushteti atje, ka sulmuar drejtuesit e emsionit ku ishte e ftuar, duke përdorur etiketime tipike të Beogradit për UÇK’në dhe heronjtë e saj si “terroristë që kane vrarë policë serbë”.
“Çka ka artistike te Adem Jashari. Shikoni kush është pjesëmarrës këtë vit, e prezantoni si dikë që e madhëron ja kë…Adem Jasharin. Unë tash ju lus që ju të më tregoni a ka qenë Adem Jashari artist nga Drenica, shkrimtar, version mashkull i Desanka Maksimoviq( poete serbe). Ju e keni ftuar dikë që e madhëron organizatën terroriste. Dua të ju njoftoj se pjesëmarrësi i sivjem Azem Deliu …dhe ja e madhëron …a e dini bre ju kush ka qenë Adem Jashari. Nëse e dini kush është Adem Jashari e dini se për shkak të tij ka filluar lufta për shkak të formacioneve të tij që ka vrarë policë serbë në Kosovë e Metohi”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, mbahet në Beograd çdo qershor dhe prezanton publikun e Beogradit me skenën kulturore të Kosovës, si një kontribut kulturor të aspiratave të përgjithshme të krijimit të përhershëm të paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ideja kryesore e festivalit është fillimi i takimeve dhe shkëmbimeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që këto takime të bëhen traditë dhe vazhdimisht të kontribuojnë në bashkëpunimin e të dy shoqërive për të përmirësuar marrëdhëniet shoqërore, politike dhe kulturore.
Gjatë këtij festivali, mbahen debate publike që do të shqyrtojnë në mënyrë kritike marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga pikëpamja e trashëgimisë të së kaluarës, si dhe për perspektiva për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, sportit, sektorit civil dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë.