Mitrovicë- Më 10 gusht 2024 bëhet një vit prej kur ka ndodhur vrasja e N.L (39-vjeçar) dhe ishin plagosur tre të tjerë në fshatin Runik të Skenderajt. Deri tash nuk është identifikuar dhe arrestuar asnjë i dyshuar.
Kështu është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” në një përgjigje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
“Deri tash, nuk është identifikuar e as arrestuar asnjë person për këtë rast. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke e hetuar rastin intensivisht”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Policia e Kosovës (PK) kishte njoftuar se një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një kafene në Runik të Skenderajt.
Lajmin e kishte konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicë, i cili kishte thënë se dyshohet se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafene, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt… Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, kishte konfirmuar Zahiti.